2015-04-10 15:41:00

Në Panama, takimi Obama-Kastro. Kardinali Parolin dorëzon mesazhin e Papës


Presidenti amerikan, Barak Obama dhe ai kuban, Raul Kastro takohen sot në Panama, gjatë mbledhjes së Organizatës kontinentale të Shteteve Amerikane. Ngjarje historike, që dëshmon se, pas 53 vjet antagonizmi, komunistët e Havanës nuk dëshirojnë më t’i konsiderojnë të rrezikshëm “imperialistët” e Uashingtonit. Njihet botërisht – edhe nga deklarata e vetë të interesuarve, Obama e Kastro - ndikimi që pati Vatikani e veçanërisht Papa Françesku, në arritjen e këtij rezultati. Edhe sot, në takim merr pjesë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, që u sjell pjesëmarrësve një mesazh të Atit të Shenjtë.

         Shtrëngimi i duarve, pas mëse gjysëm shekulli, mbyll kështu një kapitull të Luftës së Ftohtë, që akoma mbante pezull, sidomos fatin e kubanëve. Gjithnjë në Panama, para takimit të Obamës e Kastros, u ulën në të njëjtën tryezë për të përcaktuar argumentet e bisedës, përgjegjësit e politikës së jashtme për të dyja vendet, amerikani John Kerry dhe kubani Bruno Rodriguez. Në prag të takimit, Departamenti i Shtetit amerikan i kërkoi presidentit dhe Senatit ta shlyejë Kubën nga “lista e zezë” e vendeve, që mbështesin terrorizmin ndërkombëtar.

         Janë disa, shenjat konkrete të normalizimit të marrëdhënieve, si për shembull hapja e rrugës ajrore, e cila, që nga 8 korriku, do të lidhë çdo ditë Floridën me Kubën. Ndërkaq, sekretaria e përgjithshme e Konferencës Ipeshkvnore të Kubës lajmëron se prefekti i Kongregatës së Vatikanit për Klerin, kardinali Beniamino Stela, do të vizitojë Kubën nga 22 deri më 28 prill.








All the contents on this site are copyrighted ©.