2015-04-10 16:14:00

Ipeshkvijtë e Kenias: kush i njeh, t’i denoncojë terroristët


“Shpresojmë se qeveria do ta zgjidhë me fund problemin e terrorizmit, për të mos lejuar që të përsëriten aksidentet”.  Kështu shkruhet ne mesazhin e ngushëllimit për masakrën e Garissës, nënshkruar në emër të të gjithë ipeshkvijve kenianë, nga Kardinali John Njue, kryeipeshkëv i Nairobit dhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Kenias, që e falënderon edhe Papën Françesku për dënimin e ashpër të sulmit.

Duke lartuar lutjen për 148 njerëzit e vrarë nga Shabaabët somalë në Universitetin e Garissës, në mesazh ftohen të gjitha institucionet e Kishës t’i ndihmojnë viktimat dhe familjarët e tyre. “Njëkohësisht, shkruan kardinali Njue, kërkojmë nga qeveria të forcojë masat e sigurisë, posaçërisht në institucionet edukative të vendit e t’i  ndreqë gabimet që kanë të bëjnë me shërbimet e sigurisë”.

Nga hetimet vërtetohet se sulmi u krye me bashkëfajësinë e qytetarëve kenianë, fakt që nënvizohet në mesazh. “E trishtueshme të mendosh se të rinj të ndryshëm kenianë u acaruan deri në atë masë, sa të kryejnë akte terrorizmi kundër vetë bashkëqytetarëve të tyre, dhe e papëlqyeshme  që disa terroristë jetojnë ndërmjet nesh e nuk denoncohen pranë autoriteteve kompetente”.

“Nëse pritet nga qeveria që të garantojë sigurinë e secilit në mbarë Vendin, nënvizojmë se ne të gjithë kemi përgjegjësi ta ndihmojmë qeverinë me vigjilencë e duke i dhënë informacione për njerëzit dhe situatat e  dyshimta në mjediset tona”, pohohet në mesazh.

Ipeshkvijtë kërkojnë edhe që Ministria e Edukimit ta shoshitë me kujdes personelin, për të shmangur rrezikun që punonjësit e saj t’i acarojnë studentët, për t’i rekrutuar, pastaj, në grupet armiqësore. U bëhet thirrje, në fund, edhe liderëve fetarë, të mos e mësojnë e as ta predikojnë urrejtjen kundër njerëzve, që nuk bëjnë pjesë në fenë e tyre. Të tërë kanë të drejta të paprekshme të jetojnë e t’i gëzojnë të gjitha liritë themelore, posaçërisht, atë të fesë”- përfundon mesazhi i ipeshkvijve të Kenias. 








All the contents on this site are copyrighted ©.