2015-04-10 18:15:00

60-vjetori i vdekjes së Teilhard de Chardin, mendimtar profetik


Më 10 prill, 60 vjet më parë, ndërronte jetë jezuiti Teilhard de Chardin, shkencëtar, mendimtar origjinal, që promovoi në një mënyrë të re dialogun ndërmjet fesë e arsyes, në veçanti, përmes interpretimit teologjik të evolucionit. Këtë temë e pati shtjelluar sidomos në librin “Fenomeni njerëzor”. Për një reflektim mbi aktualitetin e veprës së Teilhard de Chardin, intervistuam prof. Paolo Trianni-n, pedagog i teologjisë në Universitetin Papnor të Shën Anselmit dhe në atë të Urbanianës, në Romë:

         Teilhard de Chardin është sigurisht një nga autorët më të rëndësishëm të ‘900-ës. Më vjen ndërmend se një herë, Henry Le Saux, që është studiues benedektin, shkroi se Teilhard de Chardin është i vetmi “autor themelor për shpëtimin e krishterimit”. Me këtë, donte të thoshte se përmes Teilhard, mund të arrijmë në një mënyrë të re, mbi të cilën të bazojmë marrëdhëniet me shkencën, por edhe me fetë e tjera, për shembull, ose edhe me tema aktuale si demokracia. Flitet shumë për ungjillëzimin e ri e Teilhard de Chardin është pikërisht autori, që duhet “shfrytëzuar” për këtë.

         Solli risi gjeniale, por jo gjithmonë u kuptua. Sot, ka interes më të madh për veprën e tij, sidomos pasi Benedikti XVI iu referua “vizionit të tij të madh për një liturgji kozmike”, duke folur në Aosta, në vitin 2009…

         Ndoshta, fjala më e saktë për ta quajtur atë është “profetik”, sepse Teilhard de Chardin profetizoi disa risi, që realizohen sot. E kam fjalën për “noosferën”, pra, për faktin se bota po bashkohet, edhe përmes teknikës, prandaj, njerëzit e kulturat bashkohen, duke e bërë planetin më të drejtë, më afër Mbretërisë së Zotit. Benedikti XVI e ka përmendur Teilhard de Chardin në disa raste, sepse pas “Monitum” (të Zyrës Shenjte) në vitin 1962, i cili e la në harresë jezuitin e madh, ishte e nevojshme të rinxirrej në dritë. Kjo ndodhi që me Papën Pali VI. Ratzinger ka folur në raste të ndryshme: foli në vitin 1968, në librin “Hyrje në krishterim”. Në faqet e tij, pavarësisht se kritikon një farë biologjizmi të Teilhard de Chardin, nënvizon rëndësinë e tij. Pastaj, në vitin 1985, në intervistën me shkrimtarin katolik italian Vittorio Messori, ku e kritikon, sepse nënvizonte sërish rëndësinë e mëkatit të rrjedhshëm. E meqë Teilhard de Chardin, s’po them se e ka kundërshtuar, por ka paraqitur nevojën që ai të rishikohet nga teologjia bashkëkohore,  Ratzinger theksonte se kjo është dogmë themelore, që nuk mund të vihet në diskutim pa shembur bazat e krishterimit. Ndërsa në vitin 2009, Benedikti XVI i bën atij jehonë, duke evokuar vizionin e botës si hoste e gjallë; një botë në evolucion drejt Zotit, që po hyn në jetën trinitare të Zotit, përmes zhvillimit, që është njëkohësisht edhe shenjtërim.

         Teilhard de Chardin ishte jezuit e, ashtu si shën Injaci, ishte i bindur se duhet “kërkuar Zoti në të gjitha gjërat”. “Noosfera” e tij a mund të shihet si interpretimi globalizimit?

         Në njërin prej librave të tij, me titull “Ambienti hyjnor”, Teilhard de Chardin shpjegon se bota, të cilën shumë teologji e përshpirtëri e shohin negativisht, mund të shndërrohet në një ambient hyjnor, sepse pas Mishërimit të Zotit, pas Hirit, pas Shpirtit që banon në botë, bota mund të jetë vend shenjtërimi. Pra, është një vend në të cilin njerëzit, në vend që të ndahen e përçahen, mund të bashkohen e të shkojnë drejt një mbretërie plot drejtësi, paqe e dashuri. E sot shohim se, pavarësisht nga ndarjet, ekziston një proces bashkimi, që po sjell vërtet unitetin në botë.








All the contents on this site are copyrighted ©.