2015-04-09 12:16:00

Papa: masakrimi armenëve, gjeste paqeje për shërimin e çdo plage


Vetëm me “gjeste konkrete të pajtimit e paqes” do të jetë e mundur të  “lexohet” në një vështrim të përbashkët masakrimi i popullit armen nga Perandoria Osmane që ndodhi para 100 vjetësh nga. Kështu u shpreh mes tjerash Papa Françesku në fjalimin e tij drejtuar sot paradite në Audiencë me Kishën Armene-Katolike, tre ditë para Meshës që do të kremtohet nga Papa të Dielën e ardhshme, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, për të përkujtuar atë faqe dramatike të historisë. E ne po i kthehemi fjalës së Atit të Shentjë Bergoglio.

Përshëndetja e Papa Françeskut drejtuar Sinodit Patriarkal të Kishës Armene-Katolike
Lumturi, Shkëlqesi,
Ju përshëndes vëllazërisht e ju falënderoj për këtë takim, që bën pjesë në kuadrin e kremtimit të afërt të së dielës së ardhshme në Bazilikën e Vatikanit. Atë ditë, do ta lartojmë lutjen e përshpirtërisë së krishterë për bijtë dhe bijat e popullit tuaj të dashur, viktima të njëqind vjetëve më parë. Do ta lusim Mëshirën Hyjnore që të na ndihmojë të gjithëve, në dashurinë për të vërtetën e në drejtësinë, që të shërojë çdo plagë e të përshpejtojë gjestet konkrete të pajtimit e të paqes ndërmjet Kombeve, që akoma nuk mund të arrijnë një konsensus të arsyeshëm mbi interpretimin e këtyre ngjarjeve të trishtueshme.
Në ju dhe përmes jush përshëndes meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, seminaristët e besimtarët laikë të Kishës Armene-Katolike: e di se shumë prej tyre ju kanë ndjekur këtyre ditëve këtu në Romë, e edhe më shumë do të jenë shpirtërisht të bashkuar me ne, nga vendet e Diasporës, si SHBA-të, Amerika Latine, Evropa, Rusia, Ukraina, deri nga atdheu. Kujtoj me trishtim në mënyrë të veçantë ato zona, si ajo e Halebit, që 100 vjet më parë ishte vend i sigurt mikpritjeje e mbërritjeje për ata pak persona që patën mbijetuar. Këto rajone, në këtë periudhë të fundit, janë dëshmitare se si prania e të krishterëve, jo vetëm e armenëve, aty është vënë në rrezik të madh.
Populli juaj, të cilin tradita e njeh si të parin popull që u kthye në krishterim në vitin 301, ka një histori dymijë vjeçare dhe ruan një thesar të admirueshëm shpirtëror e kulturor, së bashku me aftësinë e ringritjes pas shumë persekutimeve e sprovave, të cilave u qe nënshtruar. Ju ftoj t'i kultivoni gjithmonë ndjenjat e mirënjohjes ndaj Zotit, për këtë aftësi për t’i qëndruar besnikë Atij edhe në epokat më të vështira. Është me rëndësi, më tej, t’i kërkojmë Hyjit dhuratën e shpresës së zemrës: përkujtimi i viktimave të para njëqind vjetëve, në të vërtetë, na vë para errësirës së mysterium iniquitatis.
Siç thotë Ungjilli, nga thellësia e zemrës, njeriu mund të bëjë të shpërthejnë forca edhe më të errëta, në gjendje të programojnë shfarosjen sistematike të vëllait, ta konsiderojnë armik, kundërshtar, apo deri edhe individ të privuar nga vetë dinjiteti njerëzor. Por për besimtarët, pikëpyetja mbi të keqen që bën njeriu, na shtie në misterin e pjesëmarrjes në Mundimet shëlbuese: jo pak bij e bija të kombit armen e kanë shqiptuar emrin e Krishtit deri në derdhjen e gjakut apo të vdekjes nga uria, gjatë eksodit të pafund që pësuan.
Faqet që tregojnë vuajtjet e historisë së popullit tuaj, vijuan në një farë kuptimi, Mundimet e Jezusit, e në çdonjërën prej tyre është vendosur fara e Ringjalljes së tij. Të mos mungojë kurrë në ju Barinj, impenjimi i edukimit të besimtarëve laikë, që të dinë ta lexojnë realitetin me sy të rinj, për të arritur të thonë çdo ditë: populli im nuk është vetëm ai i vuajtjeve për Krishtin, por sidomos i të ringjallurve në Të. Për këtë është me rëndësi ta përkujtojmë të kaluarën, por edhe të nxjerrim prej saj limfën e re, për ta ushqyer të sotmen me kumtimin e Ungjillit dhe me dëshminë e dashurisë bamirëse. Ju inkurajoj në udhën e formimit të përhershëm të meshtarëve e të njerëzve të shuguruar e të përkushtuar. Ata janë bashkëpunëtorët tuaj të parë: bashkimi vëllazëror mes tyre dhe jush do të përforcohet nga vëllazërimi shembullor, që ata do ta shohin në gjirin e Sinodit tuaj dhe në bashkimin me Patriarkun.
Kujtimi ynë plot mirënjohje në këtë moment u shkon atyre që po përpiqen për të lehtësuar sado pak dramën e të parëve tuaj. Mendoj në mënyrë të veçantë për Papën Benedikti XV, që ndërhyri pranë Sulltan Mehmetit V për ndalimin e masakrimit të armenëve. Ky Papë qe mik i madh i Lindjes së krishterë: ai themeloi Kongregatën e Vatikanit për Kishat Lindore dhe Institutin Papnor Lindor, e në vitin 1920 e shkroi emrin e  Shën Efrehemit të Sirit ndër Doktorët e Kishës Universale. Jam i lumtur që takimi ynë realizohet në vigjiljen e një gjesti tjetër të ngjashëm, të cilin të dielën do të kem gëzimin ta bëj me figurën e madhe të Shën Gregorit të Narek-ut.
Ndërmjetësimit të tij, ia besoj në mënyrë të veçantë dialogun Ekumenik ndërmjet Kishës Armene-Katolike dhe Kishës Armene-Apostolike, duke kujtuar se si sot, para njëqind vjetësh, martirizimi e persekutimi realizuan “ekumenizmin e gjakut”. Mbi ju e mbi besimtarët tuaj lus dhe kërkoj bekimin e Zotit, ndërsa ju kërkoj të mos harroni të luteni për mua!








All the contents on this site are copyrighted ©.