2015-04-08 14:07:00

Papa Françesku: Vuajtjet e fëmijëve, “britmë që ngjitet tek Zoti”


“Britma e fëmijëve të braktisur, të munduar, të cilëve u rrëmbehet mosha e njomë, u shpërdorohet e ardhmja, arrin deri te froni i Zotit e është aktakuzë e rëndë kundër sistemit, që kemi ndërtuar”. Papa bashkoi thirrjen e tij me britmat e fëmijëve të braktisur në të katër anët e botës, në audiencën e sotme të përgjithshme. Thirrje e fuqishme, drejtuar njerëzve dhe vendeve të ndryshme të botës, për t’u kujdesur për fëmijët e vuajtur, fill i kuq që përshkoi gjithë katekizmin, mbajtur përballë mijëra besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, më në fund të ndriçuar e të ngrohur nga dielli pranveror. Françesku përsëriti disa herë: “Me fëmijët nuk mund të tallesh! S’bëhet shaka me fëmijët! Nuk duhet kursyer asnjë sakrificë, që ata të mos e ndjejnë se erdhën gabim në këtë botë!”.

U rikthye përsëri tek familja Papa, këtë të mërkurë Pashkësh, për të plotësuar reflektimin e tij kushtuar fëmijëve: sot, atyre që vuajnë, që u digjet koha më e bukur e jetës, foshnjëria. “Histori mundimesh” e quajti Françesku jetën e këtyre miturakëve të refuzuar, të braktisur, të dhunuar, të uritur, të paditur, të pakujdesur ose, në vendet e pasura, viktima të krizave familjare, të punës së parakohshme, të mungesës së edukimit, të shkollimit, që peshojnë rëndë mbi kurrizin e tyre të njomë:

“Ndokush guxon të thotë, gati-gati si të donte të justifikohej, se është gabim t’i sjellësh në këtë botë. Kjo është e turpshme! Të mos i shkarkojmë mbi fëmijët fajet tona, ju lutem! Fëmijët nuk janë kurrë gabim!”.

 Madje, vijoi Françesku, mundimet e tyre janë një arsye më shumë për t’i dashur e për të menduar se çdo i rritur ka përgjegjësi për ta, për situatën në të cilën jetojnë, për ndryshimin e jetës së tyre të mjerë:

“Çdo fëmijë i përjashtuar, i braktisur, që jeton udhëve duke lypur, pa rrugëdalje, pa shkollë, pa kujdes mjekësor, është britmë që lartohet kah Zoti, akuzë kundër sistemit që kemi ndërtuar ne, të rriturit”.

E aq më tepër, fëmijët që bien pre e kriminelëve, të cilët i shfrytëzojnë për punë të padenja, i detyrojnë të lypin, u vënë pushkën në krah e i stërvisin për luftë e për akte dhune.

E nuk duhen harruar as vendet e ashtuquajtura “të pasura”, nënvizoi Françesku, ku shumë fëmijë jetojnë drama të padurueshme për moshën e tyre, për shkak të krizës  së familjes, të mungesës së edukatës e të kushteve çnjerëzore të jetës. Janë fëmijë të dhunuar në shpirt e në trup. Por Ati që është në qiell nuk e harron asnjë nga këta fëmijë! Asnjë lot i dedhur nga sytë e tyre nuk harrohet! Ashtu si nuk mund të harrohet  përgjegjësia jonë, përgjegjësia shoqërore e njerëzve, e secilit  prej nesh e prej vendeve  tona.

E përgjegjësi shoqërore do të thotë edhe t’i ndihmosh prindërit, që i pranojnë fëmijët, të cilët duhen rritur me shumë mundime e të mos fshihesh pas fjalësh që përdoren thjesht për mbrojtje zyrash:

“Është e vërtetë se fëmijët me vështirësi të rënda gjejnë shumë shpesh prindër të jashtëzakonshëm, gati për çdo flijim e çdo bujari. Por këta prindër nuk duhen lënë vetëm! Duhen shoqëruar në mundin e tyre, duke u krijuar edhe çaste gëzimi e hareje, çaste prehjeje, larg çdo mendimi të trishtuar, që të mos mbyllen vetëm në atmosferën kapitëse të mjekimeve të përditshme”.

Zë i Kishës, sot Papa pohoi kujdesin e tij atëror dhe bekimin e Hyjit për prindërit dhe fëmijët, por edhe dënoi ashpër ata, që nuk tregojnë kujdesin e duhur për të miturit. Më pas përshkroi një shoqëri ideale, që zgjedh parimin e mbrojtjes së fëmijëve e të rritjes së tyre me të gjitha kushtet e nevojshme:

“Mendoni ç’do të ishte një shoqëri, që do të vendoste, një herë e mirë, të zgjidhte këtë parim: ‘Është e vërtetë se nuk jemi të përkryer e se bëjmë shumë gabime. Por kur është fjala për fëmijët që vijnë në botë, asnjë flijim i të rriturve nuk duhet gjykuar i tepruar ose i madh, nëse bëhet fjalë për të shmangur rrezikun që një fëmijë të quhet i gabuar, njeri që nuk vlen dy para, që duhet braktisur në mes plagëve të jetës e të prepotencës së njerëzve’. Unë them se kësaj shoqërie mund t’i falen shumë nga gabimet e saj të panumërta. Shumë, vërtet”.

Në përfundim, fjalët:

“Zoti e gjykon jetën tonë duke dëgjuar çka i tregojnë engjëjt e fëmijëve,   të cilët e shohin gjithnjë fëtyrën e Atit, që është në qiell”(cfr Mt 18,10). Ta pyesim gjithnjë veten: ç’i tregojnë për ne Zotit këta engjëj të fëmijëve?”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.