2015-04-08 16:24:00

Nga Kisha në Botë


Padovë: Në bazilikën e Shën Andout mund të soditen nga afër kryeveprat e artistit të famshëm italian Donatello. Veprat janë vendosur pas elterit të madh, në një ekspozitë të vogël titulluar “Donatello i fshehur”, sepse hera e parë që ekspozohen. Është një çast emocionant për besimtarët e panumërt, që  shtegtojnë në çdo kohë të vitit tek Shëna Ndou, t’i shtojnë devocionit për Shenjtin edhe  kënaqësinë që buron nga soditja e një mjeshtri, si Donatello. E dhe një mënyrë për t’u krijuar artdashësve mundësinë të njihen nga afër me pasuritë e pallogaritshme artistike, që ruhen në kishat katolike.

Në Romë sot u mbajt seminari për formuesit e jetës rregulltare, me pjesëmarrje nga të katër anët e botës.

E po në Romë, pranë Kishës teutonike, në zemër të Vatikanit, kushtuar Shën Marisë së mëshirës, u  kremtua një lutje për Evropën, me rastin e 660 vjetorit të kurorëzimit të Karlit IV Perandor i Perandorisë së Shenjtë Romake. U kujtuan, kështu, kohë kur  dalëngadalë Evropa niste udhën drejt bashkimit, ëndërr që vijon në ditët tona. Të pranishëm në kremtim, dekani i kolegjit kardinalor, kardinali Angelo Sodano dhe autoritete të tjera të Vatikanit e të Kishës katolike.

Torino: U paraqit sot, në praninë e kryeipeshkit të Torinos, imzot Cesare Nosiglia, ekspozita “Lutja, përvojë e çmuar njerëzore. Takimi me hyjnoren në kulturat e botës”. Ekspozita do të mund të soditet nga 11 prilli, deri më 28 qershor.

Në Loreto, Festival ndërkombëtar i muzikës kishtare, me temë “Zoja e Loretos”. Manifestimi muzikor që prej 55 vjetësh  mbledh në qytetin e famshëm marian koret më të mira të  Evropës e të botës. Mëse 180 këngëtarë, që u përkasin  gjashtë koreve, do ta mbushin Bazilikën madhështore me tingujt e këngëve kushtuar Virgjërës Mari, duke vijuar, kështu, një  traditë të lindur që në vitin 1961. 








All the contents on this site are copyrighted ©.