2015-04-08 14:12:00

Jemen. Kryqi i Kuq: “Në Aden, gjendje katastrofike”


Kryqi i Kuq e konsideron katastrofike gjendjen në qytetin portual të Adenit, në jug të Jemenit, ku vazhdojnë luftimet ndërmjet trupave besnike ndaj ish-presidentit Mansour Hadi dhe rebelëve shiitë Houthi. Që nga fillimi i konfliktit, më 19 mars, bilanci ka arritur në 560 viktima, 1800 të plagosur dhe mëse 100 mijë të shpërngulur.

         “Në Aden luftohet rrugë më rrugë e shtëpi më shtëpi. Shumë nuk janë në gjendje të ikin”, dëshmon zëdhënësi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Jemen. Janë mbyllur të gjitha rrugët, detare, ajrore dhe tokësore. Është vështirë të shkohet edhe në spital, denoncon organizata “Mjekët pa kufi”.

         Ndërkaq, vijojnë sulmet ajrore të koalicionit, udhëhequr nga Arabia Saudite. Të vrarët e shkaktuar nga bombat e avionëve arrijnë në 300 vetë, ndër të cilët së paku 74 fëmijë, denoncon UNICEF-i. E të gjitha vendet e rajonit akuzojnë njëri-tjetrin. Zëdhënësi i koalicionit, gjenerali Ahmed Asiri, pohon: “ka prova se Irani po stërvit milicët Houthi për të përdorur avionët luftarakë”. Somalia ka vënë në dispozicion të koalicionit hapësirën e saj ajrore dhe detare, ndërsa SHBA-të kanë intensifikuar shkëmbimin e informacionit, duke krijuar një koordinim të përbashkët me Arabinë Saudite. Lëviz edhe Irani. Kreu i diplomacisë, Mohammad-Javid Zarif, fillon sot një mision në Oman e Pakistan, për të diskutuar pikërisht mbi situatën në Jemen. Islamabadi nuk ka vendosur akoma nëse do ta mbështesë apo jo koalicionin e udhëhequr nga Riadi.








All the contents on this site are copyrighted ©.