2015-04-08 13:45:00

70 vjet më parë, vdiq në lager nazist, teologu Bonhoeffer


“Të jesh i krishterë nuk është punë e çastit, kërkon kohë”. “Vetëm feja e paktë mund të na mundë”. Këto janë fjalët e mendimet e teologut të krishterë ungjillor, Dietrich Bonhoeffer, vrarë 70 vjet më parë – më 9 prill 1945 – në kampin e përqendrimit nazist të Flossenburg, me akuzën se kishte marrë pjesë në një komplot kundër regjimit të Adolf Hitlerit. Për figurën e Bonhoeffer, intervistuam teologun dhe kryeipeshkvin e Oristanit, imzot Ignazio Sanna:

         Teolog, i krishterë, bashkëkohor. Janë tri, fjalët që e përshkruajnë personalitetin e këtij njeriu të madh të Kishës. Së pari, teologjia e tij, sepse i dha hov të ri mënyrës me të cilën teologjia lidhet me jetën; e tija, është teologji që interpreton, me të vërtetë, përmasat e ekzistencës së krishterë. Bonhoeffer ka thënë se duhet të jetojmë, krishterisht, sikur Zoti të mos na shihte në këtë çast. Kur Bonhoeffer flet për një të krishterë të rritur, thotë se duhet të jemi të aftë të jetojmë në bashkim me Zotin, edhe sikur Zoti të mos ekzistonte. Kjo është pjekuria, që dëshiron ai për të krishterin. Që i krishteri të mos e përdorë Zotin – sipas shprehjes së tij të famshme – si “shtupë për të mbyllur vrimat”, por si një prani të brendshme, të përhershme. Tjetër tipar dallues i Bonhoeffer-it: ai është bashkëkohor. Cili është ideali, që na propozon? Ta konsiderojmë Jezusin bashkëkohor me ne.

         Dëshmia e krishterë e këtij teologu u kurorëzua me martirizimin…

         Mjeku që ishte i pranishëm në ekzekutimin e tij thotë se ai e priste në gjunjë, pa iu dridhur qerpiku. Në kaq e kaq vjet, që ushtronte profesionin, vijon mjeku, nuk kishte parë askënd të përgatitej për vdekjen kaq i qetë shpirtërisht. Kjo do të thotë se ky njeri kishte një jetë të thellë shpirtërore, fe të madhe e, në atë çast, edhe besim në Ringjalljen, në jetën e amshuar.

         Ç’peshë ka sot mendimi i Bonhoeffer në dialogun ekumenik?

         Do të dëshiroja të kishte peshë të madhe, sepse shpesh, vështirësitë më të mëdha në udhën e përbashkët kanë të bëjnë me botëkuptimin e krishterë mbi njeriun, pra, me antropologjinë, e cila duhet të frymëzohet vërtet nga kristologjia. Nëse ne, për botëkuptimin tonë mbi njeriun, frymëzohemi vërtet nga figura e Krishtit, atëherë mund të gjejmë një emërues të përbashkët për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut. Nëse e mbajmë vështrimin të ngulur në Krishtin e më pak në strukturat e në normat e së Drejtës kanonike, ndoshta, do të jemi në gjendje të bëjmë një hap më shumë për të gjetur arsyet dhe frymëzimin mbi mënyrën se si duhet të ecim së bashku. 








All the contents on this site are copyrighted ©.