2015-04-07 14:13:00

Çdo ditë, 10 të krishterë vriten për shkak të fesë


Jehona e masakrës së Garissa-s, me xhelatët që përzgjedhin viktimat mbi bazën e besimit të tyre fetar, është përhapur jashtë Kenias, vend në luftë me fundamentalistët somalezë. E nuk është i vetmi. Republika Qendroafrikane, Nigeria, Sudani e edhe më lart, Libani, Sinai egjiptian, Siria e Iraku, janë të gjitha territore ku të krishterët po njohin botën më të shëmtuar, që mund të ndërtojë njeriu.

Martirë të shekullit të ri

         Pavarësisht nga orientimi politik, të gjithë analistët ndërkombëtarë janë të një mendjeje: të krishterët sulmohen e persekutohen në të gjitha mënyrat e fenomeni është në rritje. Sipas organizatës “Open Doors International”, gjatë vitit të fundit, presioni mbi kishat është rritur në 29 vende, ka mbetur i njëjtë në 7 të tjera dhe është zvogëluar në 11 vende. Vëzhguesit e “World Watch Monitor” vënë në dukje se gjatë vitit tragjik 2014,  4334 vetë janë vrarë vetëm sepse besonin në Jezu Krishtin e mëse njëmijë vende kulti janë shkatërruar, sepse të krishtera.

         Ofensiva kundër krishterimit është globale. E nëse në krye të pesë vendeve të para, armike të krishterimit, figuron Koreja e Veriut, gjeografikisht e ideologjikisht larg epiqendrës së xhihadit, katër të tjerat janë Nigeria, Siria, Republika Qendroafrikane dhe Kenia. Vende, ku vënia në shënjestër e priftërinjve dhe e bashkësive të krishtera bëhet nga grupe si Boko Haram ose Isis, që e mbajnë veten për myslimanë model, pavarësisht nëse me këtë janë apo jo dakord shumica, që frekuenton xhamitë.

A kemi të bëjmë me ndeshje me Islamin?

         Frika ta gërryen e ta ha shpirtin e ajo e të krishterëve të Lindjes së Mesme e përreth saj duket sot veçanërisht e uritur. Jemi para ndeshjes ndërmjet Islamit dhe krishterimit? Në të vërtetë, 95% e viktimave të terrorizmit janë myslimanë. Të dhënat vijnë nga një studim i vitit 2011 i Qendrës amerikane kundër terrorizmit, sipas së cilës, kur është e mundur të përcaktohet feja e të rënëve në atentatet e pesë vjetëve para 2011-ës, përqindja e myslimanëve arritn nga 82% në 97%. Ndërkaq, sipas qendrës Pew, numri i të krishterëve, që pësojnë persekutime fizike e mënjanime politike për shkak të fesë arrin në 70% të numrit të përgjithshëm të njerëzve, që vuajnë nga diskriminimi fetar.

Hemorragji pa fund

Në Siri, dikur të krishterët përfaqësonin 10% të popullsisë, sot, një ndër dy tenda në kampet e refugjatëve, banohet nga sirianë. Në Irak, eksodi i të krishterëve, filluar në vitin 2003, e ka reduktuar praninë e tyre në 1,5%. Para disa javëve, u formua “Dwekh Nawsha”, milicia e të krishterëve të Pllajës së Ninives, të cilët pasi u lodhën së kthyeri faqen tjetër, u armatosën deri në dhëmbë për të luftuar krah peshmergëve kurdë kundër Shtetit Islamik. Perspektiva nuk premton asgjë të mirë, pasi kur kjo ndodhi në Republikën Qendroafrikane në vitin 2013, regaimi i të krishterëve kundër balakëve shkaktoi atë, që Kombet e Bashkuara e quajtën “spastrim etnik” i rreth 6 mijë myslimanëve.

Të krishterët jetojnë, duke parë me kujdes kë kanë pas shpine, në shumë vende të botës, por janë shumë, tepër, ata të vendeve myslimane, që e kanë frikën shoqe udhe. Natyrisht, ka një përmasë antiperëndimore në sulmet kundër kishave, të perceptuara si simbol i përjetshëm i pushtetit të të bardhëve, por sot, së paku një ndër katër të krishterë, nuk është perëndimor.








All the contents on this site are copyrighted ©.