2015-04-07 13:11:00

Urimet e Pashkëve të Patriarkut të Moskës, Kirill


Patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Kirill, i dërgon një mesazh urimi për Pashkë të gjithë krerëve të Kishave jo ortodokse. Ndër ta: Papa Françesku, Patriarku i lartë dhe Katolikosi i të gjithë armenëve Karekini II, kreu i Bashkimit Anglikan e kryeipeshkvi i Kanterburit, Justin Welby, kreu i Kishës ungjillore në Gjermani, ipeshkvi Heinrich Bedford-Strohm, etj.. “Urimet e mia më të përzemërta – shkruan Kirill – me rastin e festës së madhe e shëlbimprurëse të Pashkëve. Ju përshëndes me gëzim: Krishti u ngjall! Në këtë ditë të shndritur kremtojmë Jezusin, që u ngrit nga varri për ta shfuqizuar përmes vdekjes atë, që ka pushtetin e vdekjes (shih Heb 2,14)”.

Patriarku bën thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet të krishterëve

         “Duke i thurur lavde Zotit për mirësinë e Tij të patregueshme ndaj qënieve njerëzore – vazhdon Patriarku – të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet të krishterëve, në emër të triumfit të së vërtetës së Zotit, të konsolidimit në shoqëri të idealeve të larta ungjillore të dashurisë, të së mirës e të mëshirës, si edhe të vlerave të vërteta shpirtërore e morale. Krijuesi i urtë që ‘na rilindi, përmes ngjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish, për një shpresë të gjallë, për një trashëgimi që nuk prishet, që nuk njolloset’ (1 Pjt 1,3-4) – përfundon Patriarku rus – Ju ruajtë të fortë në korp e në shpirt, Ju mbushtë plot me bujarinë e Tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.