Në jetën e secilit komb ka data të rëndësishme që kujtohen për mirë, e data që
kujtohen për keq. Zihen në gojë për të mirë edhe kujtohen me nderim ato data, që luajtën
një rol pozitiv gjatë historisë, siç janë për shembull, data e ngritjes së Flamurit
në Krujë, nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në vitin 1443, data e ngritjes së Flamurit
në Deçiq, nga Ded Gjo’ Luli, në vitin 1911, data që i fali Shqipërisë pavarësinë kombëtare
në Vlorë, nga Ismail Qemali, më 1912 duke shkëputur Vendit nga perandoria Osmane.
Po, krahas datave që kujtohen me nderim, ka edhe data që kujtohen jo për të mirë.
Njëra nga këto data për Shqipëri është 7 prilli i vitit 1939, dita e pushtimit nga
ushtria fashiste italiane.
Shqipëria ka qenë e pushtuar nga një korparmatë italiane në qershor të vitit 1917,
gjatë Luftës së Madhe, ku qe vendosur nën protektoratin italian. Pastaj me traktatin
e Tiranë më 1920 Giolitti pati hequr dorë nga protektorati në shkëmbim të njohjes
së plotë të pavarësisë e të ishullit të Sazanit. Gjërat ndryshuan me ardhjen e Musolinit,
kur nisi politika e jashtme ekspansioniste të fashizmit në Ballkan me ndërhyrje diplomatike
e ushtarake. Shpallja më 1925 e Ahmet Zogut si Kryetar Shteti vuri bazat e vazhdimit
dhe të përforcimit të influencës italiane në rajon e posaçërisht në Shqipëri e po
më 1925 u nënshkruan marrëveshje të ndryshme ndërmjet dy Shteteve.
Prandaj nuk duhet harruar se 7 prilli i 1939 e gjente popullin shqiptar në një gjendje
të mjerë ekonomike, në një gjendje të turbullt ishte edhe rinia shqiptare, pikërisht
në pragun e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Shtatë prilli 1939 mbylli
një faqe dhe hani një tjetër. Ndërsa para pushtimit fashist, regjimi monarkik e kishte
lidhur Shtetit Shqiptar mbrapa rrotave të Italisë, me marrëveshjet e nënshkruara,
që pasonin njëra tjetrën, duke u bërë shkaktar mund të thuhet, që t’i hapeshin dyert
pushtimit të huaj, humbi krejt lirinë e pavarësinë dhe u bë fushë e lirë ku pastaj
zuri vend propaganda komuniste.
Italia fashiste, herë vetë, herë me anën e veglave të saj, shtypi dhe internoi të
gjithë ata shqiptarë, që e kundërshtuan pushtimin fashist. Trazirat që solli 7 prilli
i kushtuan shumë një pjese të mirë të intelektualëve të pa komprometuar, rinisë së
shkolluar, punëtorëve e fshatarëve shqiptarë që ditën të kuptonin se pushtimi fashist
kishte sjell përmbysje të gjithanshme dhe se nga ky pushtim gjendja nuk do të kthehej
më si përpara.
Intelektualët e pa komprometuar, një pjesë e mirë e klerit, e rinisë dhe masave fshatare
shqiptare e kundërshtuan qysh në fillim fashizmin. Një pjesë e shqiptarëve u radhit
me betejën e madhe që bëri edhe Balli Kombëtar me programin e quajtur “Dekalog”, që
i foli popullit shqiptar për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit fashistë dhe nga
çdo pushtues tjetër, për bashkimin e të gjithë shqiptarëve, për demokraci e përparim
të gjithanshëm të Vendit. Një pjesë tjetër e popullit ndërmorën udhën e shtrembët
duke ndjekur doktrinën e komunizmit ateist dhe me ndihmën e emisarëve jugosllavë,
Miladin Popoviqit e Dushan Mugosha-s, krijuan partinë komuniste, e cila 7 prillin
filloi t’a luftojë vetëm kur hyri në luftë Bashkimi Sovjetik. Kjo parti e përdori
Shqipërinë si një fushë provash për zbatimin e doktrinës komuniste, që nuk kishte
as nuk ka asgjë të përbashkët as me historinë shqiptare e as me traditat e popullit
shqiptar.
Në ndeshjet mes Ballit Kombëtar e partisë komuniste, fitoi partia e diktaturës, jo
sepse qe më e zoja, por sepse pati ndihmën nga jashtë, nga partia komuniste jugosllave,
nga çetat komuniste të vendeve të ndryshme, që ushtruan terror mbi popull, duke vrarë
shqiptarët e pafajshëm majtas e djathtas.
Po t’i kthehemi pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939. Gjithçka filloi nën shenjën
e ndihmave që një Shtet i jepte një Shteti të vogël, të prapambetur e të pambrojtur.
Filloi më 1925 me marrëveshjen për ngritjen e Bankës Kombëtare, e cila re menjëherë
e plotësisht në dorë të italianëve, duke grumbulluar atë sasi ari, që mbeti molë sherri
për disa dekada. Vijoi pastaj me monopolin italian mbi peshkimin, me pretendimet për
të shtënë në dorë tokat bujqësore, me huanë e Sveas e hua të tjera, me paktin e Tiranës
të 1933-së, me kërkesën për lidhjet doganore dhe për kontrollin e plotë mbi ushtrinë
e financat, për formimin e partisë fashiste shqiptare e, së fund, për vendosjen e
kolonëve italianë në tokat bujqësore. Arsyetohej: “Në Italinë e Jugut kemi strehuar
disa qindra mijëra shqiptarë. Përse të mos ngjasë kjo edhe në anën tjetër të Adriatikut?”.
Në sa bëhet kjo pyetje, nuk se si të mos mendojmë se numri i shqiptarëve që strehohen
sot në Itali është ku e ku më i madh sesa në orën e zezë, kur u vendos pushtimi fashist.
Gjithçka, pra, nën maskën e ndihmës, të bashkëpunimit, të miqësisë, deri sa Shqipërisë
të mos ishte më në gjendje t’i paguante huatë e të shitej në tregun e pengjeve, të
bëhej krahinë e Italisë.
E historia e ndihmave, e huave, e miqësive të përjetshme, e lidhjeve si mishi me kockën,
e mbrojtjes nga Shtet i madh në emër të zhvillimit, do të përsëritej tragjikisht në
trojet e Shqipërisë e cila, e tradhtuar nga fqinjët, do të shkonte në kërkim të miqve
të fuqishëm tepër larg e tepër të dëmshëm, deri në skajet e Lindjes së Kuqe e më tutje.
Në agim të ditës së 5 prillit 1939 populli i Tiranës u zgjua prej agimit i tmerruar
nga ushtima e topave, duke besuar se kishte filluar pushtimi. Pastaj, siç shpallën
oratorët zyrtarë, u muar vesh se “dinastia e Zogut ishte përjetësue!”.
Gjatë gjithë kësaj kohe e më pas, shumica e klerit shqiptar iu kundërvu haptas propagandës
fashiste. Mjafton të citojmë këtu disa vargje satirike të Atë Fishtës, vënë në gojë
të Zotit gjatë dialogut me Shën Françeskun, në satirën “Vegim”. Thotë, pra, Ai i Lumi,
në sa shikon sesi shqiptarët janë detyruar t’i mbartin mbi shpinë italianët pushtues:
“Palé! Paskan kujtue/ Se mue shqiptarët pa hiri/ Më paskan rà prej strajcet:/ a se
janë, ndoshta firi,/ me i shkelë çdo sharlatan/ vorbaxhi italian!”.
Një pjesë e mirë e klerit antifashist u detyrua të largohej përkohësisht nga Shqipëria
ose u internua në forma të ndryshme, pa mohuar se pati edhe ndonjë klerik: misionar
ose jo, që e mbështeti pushtimin. Më vonë u futën të gjithë në një thes, u quajtën
të gjithë mbarë fashistë e nën këtë emërtim, u torturuan për vdekje. Disa nga këta
të ashtuquajtur “fashistë”, të masakruar si të tillë, janë në listën e 40 martirëve,
në pritje të shenjtërimit. Fatkeqësisht nuk është bërë shumë, për të mos thënë aspak,
për rishqyrtimin e qëndrimit të klerit shqiptar përballë pushtimit fashist e t’ia
kthejë historisë së drejtë duke pastruar nga njollat e pamerituara që i janë vënë.
Po në se këtë nuk e bën drejtësia njerëzore, ka për ta bërë sigurisht drejtësia hyjnore.
Në agimin e 7 prillit 1939, banorët e Tiranës i zgjoi rishtas gjëmimi i artilerisë,
Këtë herë ishin bateritë e luftanijeve italiane që po bombardonin Durrësin në përgatitje
të zbarkimit. Asnjë skrupull moral, asnjë respekt për një popull të vogël shpallur
mik, për fjalën e dhënë, për traktatet e nënshkruara!
Ushtima e topave ishte kob, por edhe sihariq: pushtuesi kishte ndeshur rezistencë,
nuk ishte pritur me lule. Populli shqiptar nuk e kishte humbur tiparin themelor, pa
të cilën do të përpihej në gjiret e kombeve të mëdha: dëshirën e zjarrtë për liri!
E këtë duhet ta merrte vesh mirë bota. Përndryshe e për fat të keq, do të na duhej
ta formulonim mesazhin e kësaj dite me një shprehje të vetë Musolinit: “Nuk e meriton
lirinë një popull, që nuk është gati të vdesë për të!”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |