2015-04-05 15:05:00

Pashkët në Tokën Shenjte. Atë Pizzaballa: të krishterët, në rrezik


Toka Shenjte, për banorët e së cilës në mesazhin Urbi et Orbi Papa kërkoi paqe, i jeton këto Pashkë ndërmjet shpresës e vuajtjeve. E kujtoi këtë edhe patriarku latin i Jeruzalemit, imzot Fouad Twal, në homelinë e Solemnitetit. “Çdo ditë në Lindjen e Mesme, theksoi, jemi dëshmitarë  ngjarjesh tragjike, që na bëjnë bashkëkohës të Kalvarit”.

 Bashkësia e vogël katolike e këndoi dje, në agim, Alelujën e Pashkëve, për shkak të normave të gjendjes së jashtëzakonshme, që rregullojnë turnet e tri bashkësive të krishtera (greko-ortodokse, latine e armene), të cilat kremtojnë në Bazilikën e Varrit Shenjt.

Mbi domethënien e këtyre Pashkëve, të dëgjojmë, nga Jeruzalemi, Rojtarin e Tokës Shenjte, atë Pierbattista Pizzaballa:

Përgjigje: - Domethënia e Pashkëve është përherë e njëjtë. Por rrethanat e bëjnë gjithnjë diçka të re. Për fat të keq vështirësitë në Tokën Shenjte, e në Lindjen e Mesme në përgjithësi, i njohim të gjithë. Prania e krishterë vijon të jetë në rrezik në Lindjen e Mesme e edhe në Siri e Irak, nga persekutimet dramatike e të papërligjura, e këtu, në Tokën Shenjte, nga pakësimi i vazhdueshëm u numrit të të krishterëve.

Pyetje: - Ç’do të thotë të jesh i pranishëm në Tokën Shenjte e t’i jetosh Pashkët pikërisht mbi gjurmët e Jezusit?

Përgjigje: - Para së gjithash duhet kujtuar se ngjarjet e Pashkëve, kremtimet, bëhen në vendet që, historikisht, sipas traditës, ishin vise, të cilat i jetuan Pashkët e zanafillës. Ky, një nga aspektet më të rëndësishme, që e lidh ngjarjen me vendin e me diçka konkrete, diçka, që mund ta prekësh me dorë. Si e thamë këtë, duhet shtuar edhe se nuk janë vetëm vendet, por edhe, e kryesisht, bashkësitë, që i bëjnë Pashkët. E të kremtosh Pashkët, për ne të krishterët, do të thotë të japësh dëshmi: pavarësisht nga frika e një mori shenjash të vdekjes, ne, edhe pse jemi të vegjël e të brishtë, me një mori kufizimesh, duam me çdo kusht t’u japim të gjithëve dëshminë e jetës e të shpresës!

Pyetje: - Cila është sot shpresa më e fortë në Tokën Shenjte?

Përgjigje: - Shpresë do të thotë të rrish këtu, shpresa do gjetur në sendet e vogla të  ditëpërditshme. Nuk është koha për ngjarje të mëdha. Është çasti i kokrrës së grurit, që jep fryt, por pa zhurmë, pak nga pak, në heshtje. Bashkësitë e krishtera në Tokën Shenjte janë shumë të vogla, nuk jemi më shumë se 1% e popullsisë, por kjo nuk na pengon të jemi shumë aktivë. Në shkolla, në veprimtari nga më të ndryshmet.  Shpresa, jeta, ringjallja: janë këto, që na nxisin të vijojmë kokëfortësisht udhën tonë,  t’i lidhim e t’i rilidhim marrëdhëniet në bashkësitë tona e edhe me të tjerat, pavarësisht nga vështirësitë e panumërta.








All the contents on this site are copyrighted ©.