2015-04-05 11:35:00

Sheshi Vatikanit i lulëzuar në Meshën e Pashkëve 2015


Sot, në Mesazhin drejtuar Romës e Botës,  Papa Françesku shprehu mirënjohjen e tij të thellë për lulet e mrekullueshme, ardhur nga Vendet e Ulëta, që zbukurojnë Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e solemnitetit:

“Një mendim i posaçëm plot mirënjohje për dhuratën e luleve, që edhe sivjet vijnë nga Vendet e Ulëta” - theksoi

Kanë kaluar 30 vjet nga Pashkët e para, kur Sheshi i Shën Pjetrit u stolis me lule shumëngjyrëshe, ardhur nga Holanda. Zbukurimi me lulet e para të pranverës e me drunj dekorativë kopshti, tashmë  tradicional, nisi në vitin 1985. Ndërmjet ngjyrave të shumta, spikasin ngjyrat e Vatikanit, e bardha dhe e verdha. E harmonia e pranverës, duket sikur merr pjesë në shpalljen me forcë të re të lajmit të ringjalljes, të dritës e të gëzimit, që buron nga Pashkët e Krishtit.

Një grup mjeshtrash nga sektori holandez i florikulturës, punoi me ritëm të plotë, për t’i mbuluar shkallët e gurta të tremes së Bazilikës me bar të njomë, mbi të cilin edhe sivjet u mbollën mijëra lule, bimë e drunj, në lulëzim të harlisur, duke e ndarë tremen vigane të Bazilikës së Popujve në 6 zona kryesore, që dallohen edhe mbi bazën e tipit të luleve, të mbjellura në to: zona e parë, ajo rreth elterit; e dyta, pjesa para Bazilikës; e treta, elteri, qendra e liturgjisë; e katërta, zona para elterit; e pesta, shkallët; e gjashta, lozha, prej nga Papa i drejtoi mesazhin e Pashkëve dhe Bekimin Apostolik “Urbi et Orbi”, Romës e Botës.  

Harmonizohen me hijeshi të jashtëzakonshme bimët zbukuruese, që nga zymbylat ngjyrë trëndafili, të bardhë, vjollcë, blu, tek tulipanet (10 mijë sivjet) me të njëjtat ngjyra, që lulëzojnë pranë e pranë me narcizet (7 mijë, ndërmjet të cilëve edhe narcizi i famshëm WestWard), azaletë, pastaj me kumbullat e  drunjtë e tjerë (400 pemë dekorative), përplot me lule, me lartësi deri në 4 metra. 

Shkëlqim e forcë i jep kjo pranverë në miniaturë, Sheshit madhështor, shumëshekullor, që ka parë aq shumë papë, kardinaj, ipeshkvij, kremtime, lule, njerëz… E edhe shumë shenjtorë. E sivjet, po shikon për herë të tretë në Lozhën e Bekimeve, Papën Bergolio, Françeskun.

Miliona teleshikues nga mbarë bota ndjekin çdo vit kremtimin e Meshës Shenjte  të Pashkëve. Me këtë rast, mund të admirojnë edhe shkëlqimin e forcën e madhe emocionuese, që kanë lulet e pemët zbukuruese. Me dy fjalë, Mesha e Pashkëve kremtohet në një skenografi, e cila i nderon kultivuesit holandezë të luleve, që kënaqin këto ditë mbarë botën, drejpërdrejt e në televizion.

Grupi i kopshtarëve holandezë, si zakonisht, u nis që të Mërkurën e Madhe nga Holanda, për të arritur në Romë të Enjten, më 2 prill, së bashku me lulet, transportuar në ajër të kushtëzuar. Shkarkimi i bimëve përfundoi në orën 6.00 të së Shtundes së Madhe, kur u krijuan kompozimet vërtet mahnitëse. Mjeshtri i parë, realizues i një skenografie të tillë, është kompozitori i luleve Nic van der Voort, ftuar në Romë me rastin e lumnimit të meshtarit holandez, Titus Brandsma,  zëvendësuar, më pas, nga i vëllai, Charles van der Voort. Që atëherë lindi tradita e zbukurimit të Sheshit të Shën Pjetrit, në  përkim të përvitshëm me mesazhin, plot me shpresën e një pranvere të re, sidomos shpirtërore, të solemnitetit të Pashkëve.

Një nga anëtarët e grupit, duke parë lulet tashmë të çelura pikërisht në kohën e duhur,  u shpreh kështu: “Puna jonë është si ajo e një bande muzikore, një orkestre, e cila mblidhet një herë në vit për të shoqëruar një kremtim solemn e gazmor, ndjekur prej miliona shikuesve nga mbarë bota”.

Kujtojmë se që në fillim të kësaj veprimtarie krejt të jashtëzakonshme, që i shndërron gurët e Shën Pjetrit në lule, Papa e priti çdo vit në audiencë të veçantë delegacionin holandez, që t’i shprehte mirënjohjen dhe ta falënderonte për kontributin e posaçëm në Meshën e Ringjalljes. E Papa Gjon Pali II, që pati çuditur disa herë shumëkënd, i çuditi edhe holandezët, kur ua shprehu falënderimet në gjuhën e tyre, gjatë mesazhit të urimeve të vitit 1989: “Bedankt voor de bloemen” shprehje që tashmë është bërë e famshme në gjuhën holandeze.

Nga Sheshi i Shën Pjetrit Krishti i flet njerëzimit për ringjallje edhe me gjuhën e luleve e të barit të njomë, që mbin e lulëzon çdo vit përmbi gurë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.