2015-04-04 11:54:00

Udha e Kryqit në Koloseum. Papa: të krishterët kryqëzohen para syve tanë


“Krishti i kryqëzuar është fitimtar. Udha e Kryqit, ikonë e bindjes së Tij ndaj Atit. Realizim i dashurisë së Tij të pafundme për ne”. Janë fjalët e Papës Françesku në përfundim të Udhës së Kryqit, të cilën e kryesoi në Koloseum.

Françesku kujtoi çka shikojmë, kur ia ngulim sytë Krishtit: vuajtjen e Tij, korpin e copëtuar, fëtyrën e shplakuar e të pështyrë. Në Të, tha ndërmjet tjerash Papa, duke kujtuar të krishterët e persekutuar, shikojmë vëllezërit tanë me koka të prera, të mbërthyer në kryq, para syve tanë, para heshtjes sonë, bashkëpunëtore në krim.

Papa kërkoi të mbahet gjallë kujtimi i Fytyrës së shpërfytyruar të Krishtit, për të mos e harruar  haraçin  tejet të rëndë që iu desh të paguante, për të na çliruar. Por edhe iu lut të na mësojë, që ta kuptojmë se Kryqi është udha e ringjalljes. E të na mësojë edhe  të mos lodhemi së kërkuari falje, duke i besuar mëshirës së Tij hyjnore.

Rrëfimi i Udhës së Kryqit, në fjalët e Jezusit. Por edhe rileximi i 14 Stacioneve, që  ndriçojnë dramat dhe dhimbjet e sotme. Ky ishte filli i kuq, që përshkoi Udhën e Kryqit, me autor ipeshkvin e nderit të Novarës, imzot Renato Corti, frymëzuar nga homelia e Françeskut në fillim të Papnisë, kushtuar figurës së Shën Jozefit. Udha e Kryqit ishte një dialog i supozuar i Krishtit me njerëzit e ditëve tona, deri në Stacionin e 12-të, kur Zoti vdes mbi kryq. Dialog i ngarkuar me tradhtitë tona ndaj dashurisë së Zotit, por edhe me heroizmin e burrave e të grave, që vriten mizorisht vetëm pse vijojnë të besojnë ngultas, pa lëkundje, në Krishtin e në Ngjalljen e Tij.

Meditimet u përshkuan edhe nga moria e dramave familjare në të katër anët e botës, kujtuan gjeninë femërore, që na nxit të jetojmë plot me dashuri për Jezusin, nënvizuan dramat e fëmijëve ushtarë e të plagosur në shpirt në një mijë mënyra, denocuan dënimin me vdekje e përdorimin e torturës.

Kremtimi i Mundimeve të Krishtit në Bazilikën e Shën Pjetrit

Vuajtjet e njerëzimit u theksuan edhe në predikimin e së Premtes së Madhe, mbajtur nga ati Cantalamessa dje pasdite, në Bazilikën e Vatikanit, gjatë kremtimit të Mundimeve të Krishtit, në praninë e Papës të Kuries Romake. Nuk foli për vuajtjet në përgjithësi, predikatari, por për vuajtje që kanë një emër të mirëpërcaktuar, një identitet të mirënjohur. Foli për dhunën, që na torturon, na shkandullon e që sot shpik forma e të reja mizorish e krimesh. Predikimi ishte reflektim e meditim edhe për të mos harruar e për të menduar se kryqëzimi nuk u përket kohëve të perënduara, por ditëve në të cilat jetojmë e kremtojmë Zotin e Kryqëzuar dymijë vjet më parë, për të na hapur udhën, që çon te Drita!








All the contents on this site are copyrighted ©.