2015-04-04 15:27:00

Papa pagëzon dy shqiptarë Natën e Pashkëve. Dëshmia e Entela Hysenit


Bekimi i zjarrit në tremen e Bazilikës së Vatikanit e hyrja me procesion paraprirë nga qiriu i Pashkëve, ndërsa kori këndon “Exultet”, do të jenë fazat e liturgjisë së lashtë, që kremtohen çdo vit Natën e pagjumë të Pashkëve, të cilën Papa do ta kryesojë sonte, duke nisur nga ora 20.30. Nesër, pastaj, Papa do të kremtojë Meshën e Ditës së Pashkëve, në orën 10.30, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke e përfunduar me bekimin “Urbi et Orbi”, “Romës e Botës”, nga ballkoni  qëndror i Bazilikës.

Është fund i errësirës, agim i një dite, që nuk do të ketë perëndim. Natë e të gjitha Netëve pa gjumë. Është një varr i zbrazët, një çarçaf vdekjeje i braktisur më një kënd, një gur varri, që nuk mund ta ndalojë askënd të dalë në dritën e jetës. Është mrekullia e udhës së shpëtimit, që hapet në mes të detit e një popull skllav rigjen lirinë e humbur.

Dhjetë katekumenë, dy shqiptarë Pagëzohen nga Papa Françesku Natën Pashkëve. 

Gjithë këtë kremton vit për vit liturgjia në Natën e Pashkëve, përplot me simbole pastrimi e ringjalljeje. Natë tipike e Pagëzimit dhe e Krezmimit. Sakramente, që Françesku do t’ua japë dhjetë katekumenëve të rritur, burra e gra, gjysma italianë, gjysma të ardhur nga Kamboxhia, Shqipëria, Portugalia. Nga kjo gjysëm, dy janë  shqiptarë: Entela Hyseni dhe Ervin Shehu. Ja dëshmia e Entela Hyseni në mikrofonin e dom David Gjugjës, një ditë para pagëzimit nga Ati i Shenjtë Papa Françesku...

Forcë, për atë që persekutohet

Natë pa gjumë, që i kapërcen kufijtë e kohës, solemne në çdo hollësi e në çdo çast. Natë, në të cilën kënga shpreh gëzimin e Kishës e galdon me korin e engjëjve, por pa i harruar as në këtë çast, dramat e tokës, pa i harruar të largëtit, ata, që do ta kremtojnë Natën e Pashkëve me frikë e, ndoshta, edhe me flijim. Skena, që Françesku i kujton pa pushim e që në Shën Pjetër do të jenë në krye të lutjes universale: “Forcoje fenë në zemrën e të krishterëve të persekutuar”, do të jetë një nga ndjetet e lutjes. E akoma: “Bekoji qeveritarët, që kërkojnë paqen” e “shndërroji zemrat e atyre, që mbjellin urrejtje”.

Shtatë mijë qirinj

E për t’i dhënë, në një farë mënyre, ngrohtësinë e shpresës këtyre lutjeve, përveçse për ta bërë të dukshme ngjarjen kryesore të fesë së krishterë, janë përgatitur shtatë mijë qirinj për njerëzit, që do të jenë me Françeskun në Bazilikë, të cilët do të përsërisin së bashku fjalët e Moisiut, duke ua kushtuar atyre, që nuk mund ta bëjnë: “Forca ime e kënga ime është Zoti, ai është shpëtimi im!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.