2015-04-03 13:58:00

Zoti nuk na braktis kurrë; si Krishti mbi kryq, t’ia besojmë Atij dhimbjen tonë.


Lutja e Jezusit para vdekjes, është në qendër të vëmendjes së Kishës, sot të Premten e Madhe të Pashkëve. Sipas shembullit të Krishtit, para situatave më të vështira e të dhimbshme, atëherë kur duket se Zoti nuk dëgjon, nuk duhet të kemi frikë t’ia besojmë Atij peshën që bartim në zemrën tonë. Çdo njeri, që ecën në udhët e vështira të jetës, e njeh mirë dhimbjen. Në shpirt e në trup të vet, apo të njerëzve, që i do. I njeh mirë edhe situatat e dhimbshme, në të cilat i duket se Zoti nuk ia kupton vuajtjen e nuk ia dëgjon britmën. I duket, por nuk është ashtu! Zoti është pranë përherë, Zoti na dëgjon gjithnjë. Nuk duhet të kemi frikë, e as të ndjehemi të vetmuar, të braktisur nga toka e nga qielli. Në situata të tilla, duhet t’ia besojmë Atij gjithë barrën e dhimbjes e të ankthit të zemrës sonë të brishtë. T’ia besojmë zemrës së tij, zemrën tonë. 
Kështu shprehet liturgjia e shenjtë,  mes tjerash, kushtuar lutjes së Jezusit para vdekjes mbi kryq.
Kisha sot, të Premten e Madhe të Pashkëve, na flet për çastet e fundme të jetës tokësore të Jezu Krishtit, për gjashtë orët e tmerrshme të Zotit mbi kryq. Duke u nisur nga këto orë, na propozon edhe një reflektim mbi errësirën e këtyre çasteve e mbi britmën e Krishtit: “Zoti im, Zoti im, pse më  braktise?”, që çdo besimtar e përsërit në orët e ankthit: ashtu si Krishti, ose me një ndryshim të vogël, shenjë shprese e ngushëllimi: “Zoti im, Zoti, im, mos më lësho dore!”.
Të ndalemi tek lutja e Jezusit në prag të vdekjes, përshkruar nga dy ungjilltarë, Marku e Mateu, si në greqisht, gjuhë në të cilën u shkrua rrëfimi i tyre, ashtu edhe në një përzierje të hebraishtes me aramajishten, për të bërë që të kumbojë në shekuj jo vetëm përmbajtja, por edhe tingëllimi rrënëqethës i kësaj lutjeje të fundme, që doli nga buzët e shkrumbuara prej uthullës, të Jezusit: “Eloì, Eloì, lemà sabactàni?”.  Krishti ishte i rrethuar me njerëz që e tallnin, që ndiqnin me cinizëm shfaqjen makabre, që nuk mundeshin e as nuk donin ta kuptonin lutjen e Tij. I duket, prandaj, sikur zhytet në një errësirë të thellë, që dyndet jo vetëm mbi të, por edhe mbi gjithë botën. Atëherë britma e tij gris tisin e territ. Lutja e të Kryqëzuarit tregon se njëherësh me peshën e vuajtjes e të vdekjes, të braktisjes e të mungesës së Zotit, Ai e ndjen praninë e Atit. Ati është aty, është pranë, e miraton aktin më të lartë të dashurisë, të dhurimit të plotë të vetvetes, ndonëse nuk dëgjohet, si në çaste të tjera, zëri i Tij, që vjen nga lart. Në orët e ankthit, lutja kthehet në britmë. E kështu na ndodh edhe ne. Në orët e vuajtjes e të dhimbjes, lutja jonë drejtuar Zotit bëhet britmë, në përpjekjen e dëshpëruar për t’u kapur deri në kupë të qiellit.
Para situatave më të vështira e më të dhimbshme, kur duket se Zoti hesht, nuk duhet të trembemi, por ta lëshojmë në dorë të tij gjithë peshën ndrydhëse të zemrës sonë; nuk duhet të  kemi frikë, por ta bërtasim në kupë të qiellit dhimbjen, që Zoti të na e dëgjojë lutjen.
Kur  të gjithë e braktisin, kur e rrahin dhe e poshtërojnë, Jezusi lutet, me bindjen e plotë se Ati është pranë, edhe në këtë orë, mbi të cilën peshon gjithë tragjedia njerëzore e vdekjes, e vdekjeve.
Ka rëndësi të kuptohet se britma e Jezusit nuk është britma e njeriut, që shkon i dëshpëruar e  shpresëhumbur drejt vdekjes, e as britma e atij, që beson se është krejtësisht i braktisur. Jezusi, në këtë çast, bën të vetin Psalmin 22, Psalm i popullit të Izraelit, që vuan, e kështu merr mbi vete jo vetëm vuajtjen e popullit të vet, por edhe atë të të gjithë njerëzve, që shkelen nën thundrën e së keqes e, njëkohësisht, e çon gjithë këtë dhimbje, të pakufishme, në zemrën e vetë Zotit, i sigurt se britma e tij do të dëgjohet në ringjallje. Britma e dhimbjes së fundme shkëputet nga kraharori me bindjen e plotë se përgjigjja e Zotit nuk do të mungojë, se shpëtimi është afër, e jo vetëm për Jezusin, por për shumëkënd.
Në lutjen e Krishtit ndjehet fuqimisht besimi e lëshimi i plotë në dorë të Zotit, edhe kur duket se Ai mungon, hesht, duke ndjekur një plan krejt të pakuptueshëm për ne, të vdekshmit. Jezusi nuk vuan vetëm. Vuan me ne e për ne. Vuajtja e Tij  buron nga dashuria e mbart në vetvete shëlbimin, fitoren e dashurisë mbi vdekjen. Në çastin e fundit, zemra e shporuar e Jezusit nuk mund të mos e ndjejë dhimbjen, por ndjen njëkohësisht, edhe sigurinë, që buron nga prania e Atit e edhe nga miratimi i planit të Tij, shpëtimtar për mbarë njerëzimin.
Edhe ne e dimë mirë ç’do të thotë ‘e sotme’ e vuajtjes, e heshtjes së Zotit, dhe e shprehim shumë herë në lutje; por e dimë mirë edhe ç’do të thotë ‘e sotme’ e ringjalljes, e përgjigjes së Zotit, që merr mbi vete gjithë barrën e padurueshme të vuajtjeve tona, për t’i mbartur së bashku me ne e për të na ngjallur shpresën se do t’i  mundim.
Kjo ndodh, sepse në lutje i çojmë para Zotit kryqet tona të përditshme, me bindjen se Ati Qiellor është pranë nesh e na dëgjon. Britma e Jezusit na kujton se nuk duhet të lutemi vetëm për vete, për problemet tona, por edhe për nevojat e vuajtjet e të tjerëve. Urata  e Jezusit  në grahma mbi kryq  na mëson të lutemi me dashuri për shumë vëllezër e motra, që mbartin mbi supe barrën e rëndë të jetës së përditshme, kalojnë çaste të vështira, durojnë dhimbje të padurueshme, nuk i ngushëllon askush. Ta çojmë, përmes lutjes,  këtë rektim të zemrës njerëzore, para zemrës së Zotit, që të gjithë ta ndjenë dashurinë e Atij, që nuk  të braktis kurrë.

O Zot, Jezus,
mundimet tua
janë historia e mbarë njerëzimit:
ajo histori në të cilën të mirët poshtërohen,
të butët... kërcënohen,
të ndershmit… shtypen
e ata që e kanë zemrën e pastër, vihen keqas në lojë.

Kush do të jetë fitimtari?
Kush do ta thotë fjalën e fundit?

O Zot Jezus,
ne besojmë se Ti je fjala e fundit:
në Ty të mirët tashmë kanë fituar,
në Ty të butët kanë ngadhënjyer tashmë, 
në Ty të ndershmit kurorëzohen
e zemërpastrit ndrisin si yjet nëpër natë. 

O Zot Jezus,
sonte po përshkojmë udhën e kryqit tënd,
duke e ditur mirë se është edhe udha jonë.
Por një bindje na ndrit:
udha nuk mbaron mbi kryq,
udha vijon,
shkon në Mbretërinë e Jetës
e në shpërthimin e Gëzimit
që më askush s’do të mund të na e rrëmbejë!

O Jezus, ndalohem mendueshëm
tek këmbët e kryqit tënd:
‘E kam ndërtuar edhe unë me mëkatet e mia!
Mirësia jote, që nuk mbrohet
e pranon të kryqëzohet
është mister që i kalon kufijtë e kuptimit tim
e më prekë thellësisht.

O Zot, ke ardhur në botë për mua,
për të më kërkuar, për të më prirë
drejt përqafimit të Atit:
përqafimit që më mungon!

Ti je Fytyra e mirësisë
e e mëshirës;
prandaj dëshiron të më shpëtosh!

Në shpirtin tim ka tepër egoizëm:
eja me dhembshurinë tënde të pafund!
Në shpirtin tim ka mburrje e ligësi,
eja me butësinë e përvujtërinë tënde!

O Zot, jam unë mëkatari që shpëtimin pret,
Jam djali plëngprishës që duhet të kthehet! 
O Zot ma fal dhantinë e lotëve ndër sy,
Për të gjetur lirinë e jetën
Paqen me Ty e gëzimin me Ty.

O Zot, Jezus,
mundimet tua
janë historia e mbarë njerëzimit:
ajo histori në të cilën të mirët poshtërohen,
të butët... kërcënohen,
të ndershmit… shtypen
e ata që e kanë zemrën e pastër, vihen keqas në lojë.

Kush do të jetë fitimtari?
Kush do ta thotë fjalën e fundit?

O Zot Jezus,
ne besojmë se Ti je fjala e fundit:
në Ty të mirët tashmë kanë fituar,
në Ty të butët kanë ngadhënjyer tashmë, 
në Ty të ndershmit kurorëzohen
e zemërpastrit ndrisin si yjet nëpër natë. 

O Zot Jezus,
sonte po përshkojmë udhën e kryqit tënd,
duke e ditur mirë se është edhe udha jonë.
Por një bindje na ndrit:
udha nuk mbaron mbi kryq,
udha vijon,
shkon në Mbretërinë e Jetës
e në shpërthimin e Gëzimit
që më askush s’do të mund të na e rrëmbejë!

O Jezus, ndalohem mendueshëm
tek këmbët e kryqit tënd:
‘E kam ndërtuar edhe unë me mëkatet e mia!
Mirësia jote, që nuk mbrohet
e pranon të kryqëzohet
është mister që i kalon kufijtë e kuptimit tim
e më prekë thellësisht.

O Zot, ke ardhur në botë për mua,
për të më kërkuar, për të më prirë
drejt përqafimit të Atit:
përqafimit që më mungon!

Ti je Fytyra e mirësisë
e e mëshirës;
prandaj dëshiron të më shpëtosh!

Në shpirtin tim ka tepër egoizëm:
eja me dhëmbshurinë tënde të pafund!
Në shpirtin tim ka mburrje e ligësi,
eja me butësinë e përvujtërinë tënde!

O Zot, jam unë mëkatari që shpëtimin pret,
Jam djali plangprishës që duhet të kthehet! 
O Zot ma fal dhantinë e lotëve ndër sy,
Për të gjetur lirinë e jetën
Paqen me Ty e gëzimin me Ty.

O Zot Jezus,
e Premtja e Madhe është ditë e errët,
ditë e urrejtjes pa arsye,
ditë e vrasjes së të Drejtit!
Po e Premtja e Madhe s’është fjala e fundit:
fjala e fundme
është drita që rindizet
dashuria që fiton mbi çdo urrejtje.

O Zot Jezus,
në sa jetojmë të premten tonë të madhe,
e në të rijeton ankthi i të gjitha të premteve të mëdha,
na jep fenë guximtare të Marisë
për të besuar në vertetësinë e Pashkëve;
na jep vështrimin e saj të kthjelltë,
për të parë vezullimet
që kumtojnë ditën e fundit të historisë:
“Një qiell të ri e një tokë të re”,
që nisin në Ty,
o Jezus i Kryqëzuar e i Ngjallur! Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.