2015-04-03 11:48:00

Sulm i Shabaab në Kenia: 147 viktima në universitet


Tmerr në Kenia. Dje, ekstremistët somalë të organizatës “al Shabaab” sulmuan një kampus universitar, në Garissa, në lindje të vendit. 147, të vdekurit, disa prej të cilëve u është prerë koka, rreth 80, të plagosurit, ndërsa policia vrau 4 nga sulmuesit. Megjithatë, rreth 150 vetë janë marrë peng nga terroristët. Në Garissa është vendosur shtetrrethimi, që nga perëndimi i diellit e deri në agim, si edhe janë përforcuar masat e sigurisë. Frika e të krishterëve në fjalët e atë Nicolas Mutua, famullitar i Garissa-s:

         Po, siç e dini, e prisnim këtë sulm, sepse na kishin kërcënuar. Na u tha të kishim kujdes, sepse do ta bënin këtë gjë e, kështu ndodhi dje. Shkojmë në stacionin e policisë për t’i njoftuar për oraret e meshëve, sepse normalisht, na ofrohet mbrojtja në këto raste. Jemi të mbrojtur nga forcat e sigurisë gjatë meshës, sepse terroristët mbërrijnë edhe kur jemi në kishë. Nuk jam i qetë kur kremtoj, sepse nuk di ç’mund të ndodhë. E kjo nuk vlen vetëm për të krishterët. Kanë gjetur vdekjen edhe disa kolegë e miq myslimanë: janë vrarë, sepse kanë denoncuar ç’po ndodh. Asgjë s’po bëhet për t’i kundërshtuar terroristët. Nuk mund të vritet, në emër të Zotit.

         Për arsyet e këtij sulmi të ri në Kenia, intervistuam analistin e Qendrës italiane të Studimeve Ndërkombëtare, Marco Di Liddo:

         Për anëtarët e “al Shabaab”, Kenia është kther tashmë në territor strategjik ofensive xhihadiste në rajonin e Bririt të Afrikës. Arsyet e sulmit kundër vendit të populluar afrikan janë të rendit politik e ushtarak. Arsyeja ushtarake lidhet me avancimin e Amisom – misioni ndërkombëtar i Bashkimit Afrikan – në Somali, që e detyron organizatën “al Shabaab” të humbasë pozicione strategjike, jetësore, në territorin somalez e për pasojë, ta shtrijë veprimin e saj përtej kufijve të Somalisë. Arsyeja politike ka të bëjë me faktin se “al Shabaab”, tashmë prej vitesh, nuk është më vetëm një realitet somalez, por organizatë xhihadiste ndërkombëtare, që përpiqet të godasë territore në të gjithë Bririn e Afrikës. Qëllimi i terroristëve është destabilizimi i Kenias, një prej vendeve që impenjohet më shumë në luftën kundër xhihadistëve në këtë zonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.