2015-04-03 16:39:00

Papa sonte kryeson Udhën e Kryqit në Koloseum


Treditshi i Pashkëve, i nisur dje me Meshën e Bagmit, pasuar nga Mesha e Darkës së Mbrame, në burgun Rebibbia, ku Papa Bergoglio përsëriti ritin e larjes së këmbëve të dymbëdhjetë të burgosurve, vijon sot pasdite, në orën 17.00, me kremtimin e Mundimeve të Krishtit, kryesuar nga Papa, ndërsa homelinë, si zakonisht, e mban predikatari i Shtëpisë Papnore, kapuçini Raniero Cantalamessa.

Në orën 21.15 Papa do të jetë në Koloseum, për të ndjekur në heshtje Udhën tradicionale të Kryqit. Sivjet Françesku ia besoi meditimet prelatit italian, imzot Renato Corti, ipeshkëv nderi i Novarës. Udha e sivjetme e Kryqit përshkohet nga meditimi mbi njeriun, ruajtuar nga dashuria e Hyjit e dashuria e Krishtit të kryqëzuar, që, nga ana e tij, duhet të jetë roje e krijimit, e të afërmit, posaçërisht e më të varfërit, siç shkuan imzot Corti në hyrje.

Teksti i plotë i meditimeve, që mund të lexohet në www.vatican.va, u botua edhe nga Shtypshkronja e Vatikanit.

Ndërmjet temave, që bien më shumë në sy, martirizimi i ministrit pakistanez, Shahbaz Bhati (2011), dramat e panumërta familjare, të pranishme në botë (është më e lehtë të gjykosh, ndërsa do të ishte më mirë të vihesh në vend të tjetrit e ta ndihmosh, sipas mundësisë), prania femërore në Kishë, trishtimi në honin e sa e sa zemrave, plagët e rënda të vetmisë e të braktisjes, indiferenca, sëmundja, vdekja e njeriut të dashur, rreziku i të qenit i krishterë i akullt, dramat kolektive, si trafiku i njerëzve; përdorimi i fëmijëve si ushtarë; puna, që shndërrohet në skllavëri; fëmijët e të rinjtë, të cilëve u vidhet pafajnia e plagosen thellë në shpirt, shprehje, që të kujton shpërdorimet seksuale të të miturve; dënimi me vdekje, i praktikuar ende në shumë shtete si dhe çdo formë e torturës dhe e vrasjes së njerëzve të pafajshëm. Papa do t’i drejtojë pak fjalë të pranishëmve, në përfundim të kremtimit.

Nesër, në orën 20.30, Françesku do të kryesojë Natën e pagjumë të Pashkëve, në Bazilikën e Vatikanit, që do të kremtohet sipas traditës: me Liturgjinë e Dritës (bekimi i zjarrit) në treme; hyrjen me procesion, paraprirë nga Qiriu i Pashkëve, simbol i Krishtit, shoqëruar nga kënga Exultet e, më pas, Liturgjia e Fjalës, Liturgjia e Pagëzimit (ndërmjet atyre, që do të pagëzohen, edhe një shqiptare) dhe Liturgjia Eukaristike.

Të Dielën e Pashkëve, në orën 10.15, në Sheshin e Shën Pjetrit,  Papa Françesku do të kremtojë Meshën e, në përfundim, nga lozha qëndrore e Bazilikës, do të japë bekimin “Urbi et Orbi”, Romës e Botës!








All the contents on this site are copyrighted ©.