2015-04-03 19:07:00

Ecce Homo! Në qendër të predikimit në kremtimin e Mundimeve të Krishtit


“Ecce homo!”. “Ja njeriu!”. Fjalët e Pilatit, që tregon Jezusin me kurorë gjembash, mbështjellë në mantelin e purpurtë, ishin në qendër të homelisë së atit Raniero Cantalamessa, në kremtimin e Mundimeve të Zotit, sot pasdite, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në praninë e Papës Françeskut. Sa “Ja njeriu” sot në botë, pohoi predikatari  i Shtëpisë Papnore, nuk duhet të flemë, nuk duhen lënë vetëm!

“Ecce homo!”. Sa vepra e kanë pikturuar  Jezusin në këtë gjendje! Predikatari zgjodhi sonte kompozimin e një piktori fiaming të shekullit XVI, Jan Mostaert, për ta bërë më të prekshëm portretin, që po pikturonte me fjalë: Jezusi ka mbi kokë kurorën me ferra, prej të cilave pikojnë pika gjaku. Gojën, gjysëm të hapur, si njeriu që i merret fryma. Mbi shpatulla, mantelin e rëndë, të ronitur. Në duart e lidhura mban një kallam, si të ishte skeptër: njeri i katandisur në ditë të hallit! Prototip i gjithë të prangosurve të historisë :“Duke medituar për Mundimet e Zotit, filozofi Blaise Pascal shkroi një ditë këto fjalë: ‘Krishti është në agoni deri në fund të fundit të botës, në çdo burrë e çdo grua që i nënshtrohet të njëjtave tortura. ‘Ma keni bërë mua!’, këtë fjalë nuk e tha vetëm për ata, që besojnë në Të; e tha për të gjitha gratë e burrat e uritur, të keqtrajtuar, të burgosur”.

“Ecce Homo!”: “Sa ‘Ecce Homo’, në botë! Zoti im, sa ‘Ecce Homo!’. Sa të burgosur, si Jezusi në pretorin e Pilatit: vetëm, me pranga, të torturuar, në dorë të ushtarakëve të pagdhendur, përplot me urrejtje, që kënaqen duke përdorur të gjitha llojet e mizorisë fizike e psikologjike e dëfrehen pamasë nga pamja njeriut të sfilitur. Nuk duhet fjetur, nuk duhen lënë vetëm!”.

“Ecce Homo!”. Kjo shprehje, kujtoi ati Cantalamessa, nuk ka të bëjë vetëm me  të kryqëzuarin, por edhe me kryqëzuesit. Do të thotë: “Ja deri ku mund të mbërrijë njeriu! E njëkohësisht kujton të gjithë të krishterët e mbytur mizorisht dje nga tërbimi xhihadist i ekstremistëve somalë, në një kampus universitar të Kenias.

“Kush i ka për zemër fatet e fesë së vet, nuk mund të qëndrojë indiferent përballë gjithë kësaj mizorie! Jezusi u tha një ditë dishepujve të vet: ‘Do të vijë ora kur kushdo që t’ju vrasë, do të besojë se po i bën nder Hyjit” (Gjn 16, 2). Kurrë ndonjë herë, ndoshta, këto fjalë nuk janë përmbushur, në histori, siç po përmbushen sot”.

Ati Cantalamessa kujtoi, kështu, martirët e sotëm, ndërmjet të cilëve, 21 koptët e vrarë nga xhihadistët në Libi, që vdiqën duke shqiptuar emrin e Jezusit, e përfundoi me lutjen: “O Zot Jezus, të lutemi për vëllezërit tanë në fe, që persekutohen, e për të gjithë ‘Ecce Homo’, që janë në këtë çast mbi faqe të dheut, të krishterë e jo të krishterë. Mari, poshtë kryqit ti u bashkove me tand Bir e përshpërite pas Tij: ‘Atë, fali!”. Na ndihmo të fitojmë mbi të keqen me të mirë, jo vetëm në skenën e madhe të botës, por edhe në jetën e përditshme, brenda mureve të shtëpive tona”.








All the contents on this site are copyrighted ©.