2015-04-02 15:53:00

Papa Françesku në Rebibbia të Romës: në burg kthehet shpresa


Në orën 17.30, Papa Françesku do të shkojë në burgun e Rebibbia-s në Romë, ku do të kremtojë meshën e Darkës së Mbrame në kishën “Ati ynë”. Gjatë saj, ai do t’u lajë këmbët disa të burgosurve, burra e gra. Këto të fundit kanë ardhur, me këtë rast, nga burgu i tyre, aty pranë. Gjithsej, në meshë, marrin pjesë 300 të burgosur, gjysma burra e gjysma gra. Si gjithnjë, Papa dëshiron të japë një sinjal të fortë të afërsisë së tij e të Kishës Katolike me këtë periferi të botës e të shpirtit, siç është burgu. Ati i Shenjtë i ka kushtuar një magjister të veçantë të burgosurve, që mund të përmblidhet me fjalët e thëna gjatë vizitës së fundit në burgun e Poggioreale-s në Napoli: “Askush nuk mund të thotë se nuk e meriton të jetë i burgosur”. I komenton për ne, kryetarja e shoqatës së vullnetarëve të Karitasit të Romës, që punojnë në burg, Daniela de Robert:

         Kjo [frazë] do të thotë shumë e, madje, është në vazhdimësi me dy papnitë e tjera të mëparshme. Gjon Pali II e takoi personalisht atentatorin e vet, …gjest i fuqishëm faljeje; Benedikti XVI takoi të burgosurit, foli e dialogoi me ta pikërisht në burgun e Rebibbia-s; ndërsa, Papa Françesku thotë gjithmonë: “Mos gjykoni, sepse jemi të gjithë, në një farë mënyre, në barkën e kësaj bote”. Më kujtohet kur ai u takua me kapelanët e burgjeve dhe tregoi telefonatat e tij me të burgosurit. Pati thënë: “Kur e mbyll telefonin e pyes veten, pse ata janë aty brenda e unë jo”. Është një mënyrë për të thënë: “Nuk jeni ndryshe nga ne, nuk jeni e keqja në vetvete, nuk jeni njerëz nga të cilët duhet të largohemi. Jemi të gjithë njëlloj, me fate të ndryshme, me udhë të ndryshme, ndoshta, me mëkate të ndryshme, por gjykimi nuk vlen për gjë”. E të mos gjykosh, në një botë ku gjykimi është në plan të parë – gjatë procesit, gjatë qëndrimit në burg, kur del nga burgu e shihesh si ish-i burgosur, gjithsesi, si njeri për t’u dënuar – është mesazh që ngroh zemrat, është kumt i rëndësishëm edhe për bashkësinë e krishterë, e cila jo gjithmonë mendon se të burgosurit duhet të vizitohen njëlloj si të sëmurët.

         Ç’do të thotë ta jetosh Javën e Madhe në burg? Edhe të burgosurit që nuk besojnë në Zot mezi e pritën vizitën e Papës, apo jo?

         Po, përshpirtëria, kërkesa për përshpirtëri, është një aspekt i fuqishëm i jetës në burg, ku njerëzit kanë edhe më shumë kohë për të menduar, për të ndenjur me vetveten, kanë kohë boshe, që shpesh mbushet me reflektime. Nganjëherë, edhe të burgosurit jo të krishterë vijnë në meshë, sepse gjithsesi, është çast lutjeje e takimi me të tjerët. Për të gjithë, mesazhi i Papës është ky: “Isha në burg e erdhët të më vizitonit”. Jemi një popull i vetëm, një bashkësi e vetme. Të premten e kaluar kremtuam, po në kishën “Ati ynë”, Udhën e Kryqit së bashku me drejtorin e Karitasit të Romës, don Enrico Feroci, i cili solli në burg kryqin e Lampeduzës. Ndarja e vuajtjeve me emigrantët qe çast tejet i ndjerë.  

         Shumë nga gratë e pranishme në meshën e Papës kanë fëmijë. Një vuajtje më tepër, ndarja nga fëmijët…

         Ndarja nga fëmijët është shkatërruese për gratë. Është dhimbje e jashtëzakonshme. Natyrisht e ndjejnë edhe burrat, por gruaja, kur e ndajnë nga fëmijët, përjeton një ndjenjë faji të pamasë, mendon se është nënë e keqe, e ndjen veten të braktisur nga fëmijët. Në meshë janë të pranishme në radhën e parë, të gjitha gratë, fëmijët e të cilave, deri në tre vjeç, rriten në çerdhen e burgut. Simbolikisht, me Papën, janë të gjithë bijtë e bijat e ndara, pak si tepër dhunshëm, nga prindërit, për shkak të burgut.

         Sipas jush, çfarë do të lerë Papa në burgun e Rebibbia-s, kur të largohet?

Do të lerë shpresën, …më pak vetmi. Do të lerë ndjenjën se të burgosurit nuk janë të fundmit e kësaj Toke, ndoshta, do të lerë dëshirën për të ndryshuar falë gjestit të tij, do të lerë mendimin se të burgosurit janë burra e gra si gjithë të tjerët, se kanë të drejta, por edhe detyra, si gjithë të tjerët.








All the contents on this site are copyrighted ©.