2015-04-02 15:51:00

Mesazhi i Pashkëve i prijësve të krishterë të Tokës Shenjte


Asnjë fe nuk mund ta përligjë dhunën. Kështu shkruajnë, në mesazhin e tyre të Pashkëve, 13 krerë të Kishave të krishtera të Jeruzalemit, që i bënë urimet e tyre dhe bashkësisë hebraike. “Vetë ekzistenca e qytetit të Jeruzalemit, lexohet në dokument, është shenjë paradoksale e shpresës, që i paraprin mbretërisë e Hyjit”. Për këtë mesazh na flet, nga Jeruzalemi, atë Pierbattista Pizaballa, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Jeruzalemi është qytet me cilësi të pabesueshme; duhet të vish këtu, për ta parë me sytë e tu. E edhe me mundësi të pabesueshme. Shtëpi e lutjes për të gjithë popujt, sipas profecisë së Izaisë, sepse këtu janë të gjithë: janë hebrenjtë, të krishterët, myslimanët. E pastaj, të krishterë të të gjitha kishave. Vërtet, këtu është mbledhur bota mbarë. Njëkohësisht, qyteti i pabesueshëm e i jashtëzakonshëm, është edhe pabesueshmërisht i plagosur nga historia tejet e ndërlikuar e nga marrëdhëniet, që duhen ndërtuar ditë për ditë, sepse çdo ditë ka të renë e vet. Ky është Jeruzalemi. Qyteti i frikës, i dyshimit, i vdekjes, por edhe i një mori mundësish të tjera, i realiteteve të vogla, që përtërihen vazhdimisht e që janë shenjë e shpresës për të ardhmen.

Pyetje: - Me që kujtuat shenjat e vdekjes, në mesazh dënohen vendosmërisht veprimet që dëmtojnë posaçe pakicat… “Ata që sillen në mënyrë kaq barbare, shkruajnë krerët e Kishave të krishtera të Jeruzalemit, çnjerëzojnë veten e shkatërrojnë jetën e viktimave të tyre”…

Përgjigje: - Po, ne u krijuam sipas shembëllimit e në përngjasim të Zotit. Këto veprime barbare, të cilat i shikojmë pothuajse çdo ditë, e mohojnë planin e Zotit, e mohojnë edhe natyrën tonë njerëzore. Njeriu nuk u krijua për dhunë. Prej këndej, dhuna duhet dënuar pa asnjë ngurrim e pa asnjë akrobaci politike.








All the contents on this site are copyrighted ©.