2015-04-02 10:14:00

Domethënia dhe përmbajtja e së Enjtes së Shenjtë të Pashkëve


Fillon sot Treditëshi i Mundimeve e Ngjalljes së Zotit e Shpëtimtarit të njerëzimit, Jezu Krishtit. Misteret që kremtojmë në ritet liturgjike këtyre tri Ditëve të Shenjta të Pashkëve janë përmbajtja thelbësore, burimi dhe rrënja e të vërtetave e vlerave më të larta të krishtera. Me pak fjalë, kremtimet e Treditëshit të Pashkëve janë thelbi e zemra e tërë fesë sonë të krishterë dhe pika themelore e tërë Vitit të Liturgjisë kishtare, e cila na dëshmon veprën e Shëlbimit dhe të Lavdërimit të përsosur të Hyjit Atë të realizuar plotësisht nga Jezu Krishti, përmes flijimit të jetës vet mbi Kryq dhe Ngjalljes nga vdekja.Me Misterin e Pashkëve, do të thotë me Mundimet, vdekjen mbi kryq dhe Ngjalljen e tij, Jezu Krishti e ka zhbi e asgjësuar vdekjen duka na çliruar nga robëria e të keqit e mëkatit dhe duke ne ripërtëri jetën.
Kështu pra, sot besimtarët e krishterë kudo në botë, kanë kremtuan të Enjten e Madhe, ditën e parë të Treditëshit të Shenjtë të Pashkëve, e saktësisht sot Liturgjia Hyjnore përmes riteve të shenjta të Enjtes së Madhe, në mënyrë të posaçme e në rend të parë përkujton e kremton zanafillën, themelimin e Eukaristisë së Shenjtë, do të thotë themelimin e Meshës së Shenjtë, pra të Kungimit të Shenjtë. Eukaristia e Shenjtë është misteri qendror e thelbësor dhe njëherit më i çmueshëm i fesë së krishterë, Sakramenti që në vlerat dhe domethëniet e shumta, është kulmi dhe gurra e jetës së krishterë, e lutjes liturgjike dhe e misionit Kishtar, siç porosit edhe Koncili i II i Vatikanit në mësimet e pasura mbi Eukaristinë.
Po sot të Enjten e Pashkëve, liturgjia paraqitet edhe shembullin e Urdhrit Meshtarak, të themeluar nga Krishti në Darkën e Mbramë, apo Urdhrin e Dashurisë, të simbolizuar personalisht në Jezusin me larjen e këmbëve të Apostujve, të cilin gjest Ai e ripohoi, e shpjegoi dhe dëshmoi deri në fund menjëherë pas Darke në Kopshtin e Ullinjve në Gjetsemani.
Gjithnjë në Meshën e quajtur të Bagmit, kremtuar sot para dite në çdo Kishë-Katedrale, nga Papa në Romë e nga ipeshkvijtë nëpër dioqeza të mbarë botës, së bashku me meshtarë, janë bekuar Vajrat e Shenjtë, që shërbejnë për kremtimin e Sakramenteve të Shenjta gjatë tërë Viti Kishtar.
Kështu, të Enjten e Madhe të Pashkëve, Kisha përkujton Darkën e Mbramë të Jezusit me Apostujt e vet, kremton dhe shpjegon Misteret kryesore të fesë së krishterë. Kujtojmë edhe një herë se Treditëshi i Mundimeve e Ngjalljes së Krishtit Zot, “kulmi i tërë vitit liturgjik”, që fillon sot me Meshën e Darkës së Krishtit me Apostujt, e gjen thelbin dhe gurrën e  vet në Natën e  Shenjtë të Pashkëve dhe mbaron me lutjet e Mbrëmësores të Dielën e  Ngjalljes.

Pra, e Enjtja e Madhe është ditë e parë e Treditëshit të Pashkëve, është ditë posaçërisht e dashur për besimtarët e për të krishterët. Përkujton themelimin e Eukaristisë, do të thotë të Meshës së Shenjtë nga Jezu Krishtit gjatë Darkës së Mbramë me Apostujt e vet, të cilëve Zoti jonë Jezu Krisht u lan këmbët, gjest që e prekë aq fort popullin e përshpirtshëm. 

Po, cila është domethënia e së Enjtes së Madhe?
E Enjtja e Madhe është ditë e posaçme, tepër e dashur për Kishën, sepse kujton disa nga dhuratat më të mëdha që Jezusi i bëri Kishës së tij, mbi të gjitha, Korpin e vet, Gjakun e vet, për të mbetur kështu i gjallë, i pranishëm në botë deri në fund të fundit; pastaj meshtarinë, e akoma, porosinë e mbramë, testamentin e dashurisë vëllazërore. Është ditë vërtetë e ngarkuar me domethënie të thellë fetare e mistike.

Ungjilli i Gjonit është i vetmi që nuk e tregon Darkën e Mbrame, shugurimin e bukës e të verës: por ndërkaq është edhe i vetmi që përshkruan larjen e këmbëve: pse?
Kuptimi ndoshta është ky: nuk mund të themi se Gjoni s’e njeh Eukaristinë, sepse dihet që në Kishat që themeloi Apostulli, Eukaristia kremtohej rregullisht, por ai foli për bukën e jetës - së cilës i kushtohet një kapitull i tërë në Ungjillin e tij – e me këtë episod deshi të vinte në dukje kuptimin e thellë të Eukaristisë, jo aq të ritit, sa të domethënies, që është shërbim e shëlbim. Eukaristia, sipas Gjonit, është sakramenti që na shuguron për t’i shërbyer njëri-tjetrit, siç shkruan në Letrën e tij të parë: “Ai(Jezusi) dha jetën për né; edhe ne duhet të japin jetën për njëri tjetrin”.
Pra, nuk është vetëm larja e këmbëve. Gjoni ka edhe fjalët mahnitëse të lamtumirës së fundit të Jezusit, që përbëjnë kulmin e Ungjillit.

Dikur theksohej koncepti i Meshës si flijim. Ndërsa sot vihet më tepër në dukje koncepti i darkës. Si ta jetojmë Meshën?
Pikërisht këtë  e përmend edhe Gjon Pali II në Ecclesia de Eucharistia ku me tjerash nënvizon  se Eukaristia duhet të konsiderohet një e vetme e të mos ndahen aspektet e ndryshme të saj. Është e vërtetë se në rrjedhë të historisë janë theksuar herë pas here disa aspekte. Në të kaluarën vihej më shumë në dukje prania reale e Krishtit, flijimi; sot – Kungimi, shujta e jetës, gostia. Janë të gjitha realitete të vërteta, aspekte të vërteta të Meshës. Është e rëndësishme të mos ndahen. T’i heqësh, për shembull, përmasën e flijimit, do të thotë ta privosh Eukaristinë apo Meshën nga një përmasë dramatike që, ndërmjet tjerash, shpjegon e hedh dritë të jashtëzakonshme mbi jetën, edhe njerëzore. Duhet kujtuar edhe se Kungimi, shujta e jetës, flet për gëzim, tregon se Eukaristia është sakramenti i shpresës, që na përgatit për gostinë e amshuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.