2015-04-01 12:22:00

“Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve. Udha e Kryqit e Françeskut


Takimi i Jezusit me gratë e Jeruzalemit e në Golgotë

Në lotët e një nëne a të një ati, në zi për bijtë e vet, ndryhet më e mira lutje, që mund të bëhet mbi këtë tokë: lutja e lotëve të fshehur, e lotëve të butë, si ato që degruan nga sytë e Zojës së Bekuar tek këmbët e Kryqit. Me sy të ngulur mbi të Birin, korp i kryqëzuar në kryq e në parzmin e saj. Në parzmin e një nëne, që di të rrijë pranë të Birit pa britma e çjerrje, duke e shoqëruar dhimbjen me dhimbje e duke ndërmjetësuar për të. Ndërmjetësimi nuk na ndan nga kundrimi i vërtetë, sepse kundrimi që i lë të tjerët jashtë, është mashtrim […] Mund të themi se zemra e Atit ngashërohet nga ndërmjetësimi, se pushteti i Tij,  dashuria e Tij e besnikëria Tij  duken edhe më qartë në zemrat e qëndrueshme, që rrokin mallin e pamort(Evangelii gaudim, 281.283). Në Zemrën e Krishtit, që rreh me rrahje zemre milionash.

  

Stacioni i dymbëdhjetë

Kështu di të sillet zemra e Krishtit! Të lëshohet plotësisht në dorën e Atit, pa pretenduar t’i kontrollojë rezultatet e krizës e të stuhisë. Lëshim i fuqishëm, por jo foshnjarak… Lëshim, që beson në atësinë e Hyjit, por nuk e përjashton ngjyrën e korbit, që fluturon mbi shtyllën e jetës. Lëshim, që pranon vuajtjen e agonisë. Ky lëshim në krahët e mëshirës hyjnore nuk merr përgjigje të përnjëhershme, e deri vetë Krishti vihet në provën e heshtjes së Hyjit, që mund ta shtyjë gjithkënd në tundimin e mosbesimit… e në britmën sfilitëse në kulmin e provës: Atë, pse më lëshove dore? Mbi kryq duhet ta humbasësh gjithçka, për ta fituar gjithçka. Rruga është e ndarë më dysh: gjysma akull, gjysma diell! Ky është vendi ku shitet gjithçka, për të blerë gurin e çmuar a arën, ku fshihet thesari. Ku humbet gjithçka: kush e humbet jetën për mua, do ta gjej rishtas… Askush nuk të detyron…është thjesht ftesë. Një ftesë për gjithçka, ose për asgjë!








All the contents on this site are copyrighted ©.