2015-04-01 11:50:00

Kardinali Parolin: financa, në shërbim të dinjitetit të njeriut


“Për Papën, edhe veprimtaria ekonomike duhet vënë në shërbim të dinjitetit të njeriut e të zhvillimit njerëzor, me vëmendje të veçantë sidomos për më të brishtët, më nevojtarët, më të varfërit”. Ky pohim është i sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në fund të tryezës së rrumbullakët me temë “Monedha dhe perandoria”, organizuar nga revista gjeopolitike italiane “Limes” dhe nga Vepra Romake e Shtegtimeve.

“Ekonomi në shërbim të njeriut e jo ekonomi që e dominon dhe imponohet; ekonomi, që është vërtet mjet për zhvillimin individual e kolektiv”, sqaroi kardinali Parolin mendimin vatikanas për këtë shtyllë të rëndësishme të shoqërisë. “Institucionet duhet ta konsiderojnë ekonominë nga pikpamja etike e jo thjesht nga ajo financiare, në të cilën mbizotërojnë kriteret e fitimit”.

E kjo vlen edhe për luftën kundër korrupsionit, fenomen i përbashkët për shumë vende, ndër të cilat edhe Shqipëria. “Ftesa e Papës për ndjenjën e përgjegjësisë në botën e financës e të ekonomisë vlen për fenomenin e korrupsionit dhe u drejtohet edhe politikanëve”, theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.