2015-03-30 14:13:00

Papa pret krerët e dikastereve, që organizojnë Vitin Shenjt


Mesha e Papës Françesku në Shtëpinë e Shën Martës, me të cilën jemi mësuar çdo mëngjes, nuk do të jetë publike deri më 13 prill, për t’i lejuar Atit të Shenjtë të përqendrohet në impenjimet e Pashkëve. Gjithsesi, Papa do të vazhdojë të jetë i pranishëm në audiencën e përgjithshme të ditës së mërkurë, gjatë së cilës do të vijojë katekizmin e tij për besimtarët.

         Në këtë periudhë, Ati i Shenjtë po punon si për rishikimin përfundimtar të enciklikës së re mbi ekologjinë, që do të botohet së shpejti, ashtu edhe për Bulën e thirrjes së Jubileut të Jashtëzakonshëm, e cila do të bëhet e ditur më 12 prill. Pikërisht për këtë, sot, priti kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore Italiane, kardinalin Angelo Bagnasco; kryepriftin e Bazilikës së Shën Pjetrit, kardinalin Angelo Comastri; e dy krerë dikasteri të Kuries Romake: kryetarin e Këshillit Papnor të Laikëve, kardinalin Stanislaw Rylko dhe, kreun e Këshillit Papnor për Familjen, kryeipeshkvin Vincenzo Paglia. Të gjithë, të impenjuar në përgatitjen e Vitit Shenjt kushtuar Mëshirës Hyjnore.








All the contents on this site are copyrighted ©.