2015-03-30 17:22:00

E Diela e Larit në Sapë: Të vihemi në kërkimin e së Vërtetës


Me kremtimin e riteve liturgjike të Dielës së Lartit, që përkujtojnë hyrjen e Zotërisë Jezus në Jerusalem dhe rrëfimin e historisë së mundimeve e të kryqëzimit të Tij për shëlbimin e njerëzimit, besimtarët katolikë filluan Javën e Shenjtë të Pashkëve të Krishtit, Zot e Shpëtimtar.

Ngjarjet e kësaj Jave të Shenjtë e posaçërisht Treditëshi Pashkëve, janë shprehja më e lartë e dashurisë së Zotit, që i japin zemrës njerëzore paqe, mirësi, hirin e shenjtë të jetës së Amshuar që buron nga Krishti i Gjallë.

Kështu edhe në trevat shqiptare, Kisha katolike kremtoi ritet e dielës së Larit, shënoi ditën e rinisë në nivelin dioqezan dhe nisi Javën e Shenjtë të Pashkëve. “Të vihemi në kërkimin e së Vërtetës”: kështu u tha mes tjerash ipeshkvi i Sapës, imzot Avgustini, të rinjve të kësaj dioqeze të shtunën e kaluar gjatë kremtimit të Udhës së Kryqit. Mbi këtë e kremtimet e dielës së Lartit nga Vau-Dejë na njofton Violeta Marashi..

PËRSHPIRTËRIA E UDHËS SË KRYQIT NË DIOQEZËN E SAPËS

Shumë besimtarë nga famullitë e Dioqezës së Sapës, kryesisht të rinjtë, këtë të shtunë, 28.03.2015 ngjitën malin e Shën Markut në Vau-Dejës, që tashmë është kthyer në vendin më të përshtatshëm me Golgotën, duke përkujtuar përmes “Udhës së Kryqit” mundimet e Zotit tonë Jezu Krishtit, por edhe duke kremtuar ditën e Rinisë me rastin e festës së të Dieles së Larit.

Bariu i Dioqezës, Imzot Lucjan Avgustini, që udhëhoqi “Udhën e Kryqit” shprehi dëshirën e tij të përzemërt që këtë përshpirtëri t’ua dedikonte të gjithë të rinjëve të grigjës që ai drejton, dhe Gjaku i derdhur i martirëve që është dëshmi e fortë e besimit në Krishtin Zot, le të jenë nxitje për të gjithë ne që të dimë të angazhohemi për të mirën dhe përparimin tonë. Që në fillim të Udhës së Kryqit, ipeshkvi ftoi të rinjtë që të vihemi në kërkim të së vërtetës, t’i shërbejmë me besnikëri dhe dashuri Hyjit që është Dashuri, është e Vërteta dhe Jeta.

Në udhën e përbërë nga 14 ndalesat ku secila përkujton një ngjarje të veçantë nga rrugëtimi i Jezu Krishtit deri në kryqëzimin e tij, kryqi u mbart nga duart e të rinjve, përfaqësues të famullive dhe shoqërohej me këngë të përshtatshme të kreshmeve, me meditime, me uratë dhe lutje drejtuar Zotit, në mënyrë që të dalim nga bota e mëkatit dhe të hyjmë në botën e Tij; të bëjmë një jetë të ndershme që të mund ta lehtësojmë barrën e kryqit të Krishtit; të vetëdijësohemi për dobësitë tona dhe të kuptojmë se jeta pa Jezusin është e pakuptimtë. Nuk munguan lutjet përfundimtare që Jezusi të na i dhurojë hiret dhe bekimet e tij, të cilat do të na ndihmojnë që në jetën tonë të përditshme të jemi vërtet besimtarë me fjalë dhe me vepra.

Në përfundim të Udhës së Kryqit, Shkëlqesia e Tij, ftoi të rinjtë që të jenë bashkësi e gjallë e kishës; të meditojnë nga Fjalimi i Krishtit në mal mbi lumturitë: Ndërsa citojmë:  “Lum ata që janë të pastër në zemër sepse do ta shohin Hyjin!” Krishti na thërret edhe neve sot që të lëshohemi me guxim në kërkimin e lumturisë. Dhe kjo të dashur të rinj është një e përbashkët e të gjithë njerëzve, të gjitha moshave dhe të gjitha kohërave. Zoti dëshiron të takohet vazhdimisht me ne theksoi ipeshkvi ndaj lejoni që Fjala e Zotit t’i flasë zemrës dhe të bëhet dritë në udhën tuaj.

Pas të shtunes, edhe e Diela e Larit, që shënon hyrjen e Jezusit në Jeruzalem dhe fillimin e Javës së Madhe është kremtuar me solemnitet të madh në Katedralen e Lumja Nënë Tereza në Vau-Dejës. Proçesioni i organizuar nëpër rrugët e qytetit u ndoq nga besimtarë të shumtë në numër që kishin mbushur duart me degë të larit dhe ullinjëve, dhe pas bekimit u drejtuan drejt Katedrales për të marrë pjesë në kremtimin e kësaj dite të kryesuar nga Ipeshkëvi i vendit, Imzot Lucjan Avgustini në bashkëkremtim me famullitarin e Katedrales dom Simon Kulli. Pergatiti per RV Violeta Marashi

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.