2015-03-29 13:45:00

Meditimet për Udhën e Kryqit, kryesuar nga Papa, të Premten e Madhe


Fillon Java e Madhe e sot është festë. Jezusit i thuren lavde nga banorët e Jeruzalemit, që e presin me dafina e degë ulliri, por kjo është edhe Java që e çon atë drejt Mundimeve të patreguara, por edhe drejt Ringjalljes, për shpërblimin e mëkateve të gjithë njerëzve, që besojnë në Të. Të Premten e Madhe, Papa Françesku do të kryesojë Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseum. Jo më larg se dy ditë më parë, gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano” botoi meditimet, që këtë vit i janë besuar ipeshkvit të nderit të Novarës, imzot Renato Corti. Prelati e ka titulluar reflektimin e tij “Kryqi, maja e shndritshme e dashurisë së Zotit, që na ruan. Të thirrur, të jemi edhe ne rojtarë për hir të dashurisë”.

         Në hyrje të libretit, që botohet edhe nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV), kujtohet homelia e Papës Françesku, në meshën e fillimit të papnisë, më 19 mars 2013. Foli për shën Jozefin -“rojtari” i shën Marisë dhe i Jezusit, e pati quajtur - me atë stilin e përvuajtur, të heshtur, por gjithnjë i pranishëm, gjithnjë besnik. Imzot Corti shpjegon se në Udhën e Kryqit të së Premtes së Madhe, dhurata e Zotit, që na “ruan” për hir të dashurisë për ne, do të jetë filli që do t’i përshkojë hapat e besimtarëve nga ndalesa në ndalesë. Kjo dhuratë mbart edhe detyrën për të qenë ne vetë “rojtarë” për hir të dashurisë, për të “ruajtur” e mbrojtur çdo gjë të krijuar nga Hyji, çdo njeri, sidomos më të varfërin, por edhe vetveten, familjen, që të shkëlqejë ylli i shpresës.

         E pastaj, nxiten të gjithë besimtarët të marrin pjesë në Udhën e Kryqit, në intimitet të thellë me Jezusin. Në meditime, imzot Corti përfytyron ndjenjat e mendimet, që mund ta kenë kapluar mendjen e zemrën e Jezusit, në orët e sprovës. Njëkohësisht, vë në dukje disa situata të jetës, që karakterizojnë ditët tona, për mirë a për keq, duke shprehur kështu me fjalë rezonancën e mundshme shpirtërore, që mund të na zgjojë kujtimi i Mundimeve të Krishtit në Udhën e Kryqit e dëshirën për ta imituar.

         Do t’ju flasim për Udhën e Kryqit edhe në ditët e ardhshme, por sot, po veçojmë nga ndalesa e dytë, lutjen, me fjalët e një martiri, të ish-Ministrit pakistanez për pakicat, Shahbaz Bhatti, vrarë më 2 mars 2011. Në testamentin e tij shpirtëror, ai shkruan:

         “Kujtoj një të premte Pashkësh, kur isha vetëm 13 vjeç: pata dëgjuar një predikim mbi flijimin e Jezusit për shëlbimin tonë e për shpëtimin e botës. Mendova t’i përgjigjem kësaj dashurie, duke u dhuruar dashuri vëllezërve e motrave tona, duke u vënë në shërbim të të krishterëve, veçanërisht të më të varfërve, të nevojtarëve e të të persekutuarve, që jetojnë në këtë vend islamik.

         Dua që jeta ime, karakteri im, veprimet e mia të flasin për mua e të thonë se po ndjek Jezu Krishtin. Kjo dëshirë është kaq e fortë në mua, sa do ta konsideroja veten të privilegjuar nëse Jezusi do të pranonte flijimin e jetës sime”.

         Në dritën e kësaj dëshmie, të lutemi: o Zot Jezus, mbështeti në shpirt të persektuarit. U përhaptë në botë, e drejta themelore e lirisë fetare. Të falenderojmë të të gjithë ata që, si “engjëj”, na japin shenja të mrekullueshme të Mbretërisë sate, që vjen.








All the contents on this site are copyrighted ©.