2015-03-27 12:26:00

Solidaritet i Papës për familjet në Irak e Nigeri


Papa Françesku nuk i harron familjet e krishtera e grupet e tjera të Irakut, larguar me forcë nga shtëpitë e nga vendet ku banonin, para se mbi ta të shfryhej furia e terroristëve të Shtetit Islamik. Sidomos ka parasysh të shpërngulurit nga qyteti i Mosulit e nga pllaja e Ninives, shumë prej të cilëve janë strehuar në rajonin autonom të Kurdistanit irakian. “Papa – shkruhet në një komunikatë të Sallës së Shtypit të Vatikanit – lutet për ta e uron që të rifillojnë jetën në tokat e vendet, ku, për qindra vjet me radhë, kanë jetuar e kanë lidhur marrëdhënie të mira bashkëjetese me të gjithë. Gjatë Javës së Madhe, tashmë në prag, këto familje ndajnë me Jezusin, dhunën e padrejtë, viktimë e së cilës janë, e marrin pjesë në mundimet e vetë Krishtit”.

         Për t’u qëndruar pranë këtyre familjeve, kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kthehet në Irak “në shenjë afërsie, dashurie e në bashkim lutjeje me to”. Kujtojmë se kardinali ka qenë në këto zona edhe në gushtin e vitit të kaluar.

         Familjet e dioqezës së Romës, përmes tij, u çojnë familjeve të Irakut një ëmbëlsirë tipike të Pashkëve, për të ndarë me to gëzimin e Ngjalljes së Krishtit. Ndërkaq, kardinali Filoni do t’u japë edhe një shumë, caktuar nga Papa Françesku si solidaritet për të krishterët. Po ky gjest solidariteti, siç shpjegon nota për shtyp, do të tregohet edhe për familjet e veriut të Nigerisë, të cilave, shuma e Papës do t’u shkojë përmes Konferencës Ipeshkvnore vendase. 








All the contents on this site are copyrighted ©.