2015-03-27 17:01:00

Atë Kantalamessa: Kisha katolike ka “shansin” e hirit.


Atë Raniero Cantalamessa përfundoi sot, në Vatikan, ciklin e predikimeve kreshmore, në praninë e Papës e të Kuries Romake. Duke folur për vizionet e ndryshme të misterit të shëlbimit në Lindje e Perëndim, predikatari papnor pohoi se falë një dialogu më të shpeshtë me ortodoksët, sot katolikët kanë “një shans” më shumë: ta drejtpeshojnë përsëri perceptimin e tyre të krishterimit, kryesisht si udhë e çlirimit nga mëkati, në kuptimin e përvojës së bukur e ngazëlluese, dhuruar nga Shpirti Shenjt. Çfarë është krishterimi? Udhë e hirit të plotë, apo kryesisht e shlyerjes së mëkateve? Ç’i solli shëlbimi i Krishtit njeriut: dhuratën e Shpirtit Shenjt, apo çlirimin nga vdekja? Natyrisht, njërën e tjetrën, por po t’i lexosh dymijë vjetët e krishterimit, gjërat nuk janë aq të thjeshta, sa duken.

Dy mënyrat e leximit të Shëlbimit

Të vëna përballë kuptimit të Misterit ë Shëlbimit, Kisha perëndimore e Kisha lindore kanë theksuar gjithnjë dy aspekte, në një farë mënyre, të kundërta, edhe pse të dyja, të vërteta. E pikërisht mbi këtë theksim të ndryshëm e mbështeti atë Cantalamessa predikimin e tij të fundit të Kreshmëve. U nis nga citimi i teologut francez, Bardy, që i sintetizon kështu dy qëndrimet:

“Qëllimi i jetës për të krishterët grekë është hyjnizimi, ai i të krishterëve të perëndimit, fitimi i shenjtërisë[...]. Fjala u bë njeri, sipas grekëve, për t’i rikthyer njeriut ngjashmërinë me Hyjin, humbur me Adamin e për ta hyjnizuar. Sipas latinëve, Ai u bë Njeri për ta shëlbuar njerëzimin [...] e për të paguar borxhin, që i kishte drejtësisë së Hyjit”.

Mishërimi ndërmjet “mundësisë “ e “nevojës”

Në Ungjijtë e në shkrimet e Shën Palit, vërejti atë Cantalamessa, Fjala, që sjell dritën e Hyjit dhe Qengji, që shlyen mëkatet e botës, janë  aspekte të pranishme, por që të dy, me theksime të ndryshme. Çeshtja ndërron me interpretimet e mëtejshme, dhënë nga Etërit e Kishës, e këtu, në thelb, atë Kantalamessa vuri në pah se ndarja  ndërmjet Lindjes e Perëndimit lidhur me “teoritë e shëlbimit”, duket qartë posaçërisht kur bëhet fjalë për Pagëzimin që, për lindorët, më shumë se për të shlyer mëkatin e rrjedhshëm, ka për qëllim që njeriu të rifitojë shëmbëllesën e humbur me Hyjin, ndërsa për Kishën katolike - e këtu, lufta e shën Agostinit me pelagjianët – ka për qëllim  ta çlirojë e ta shërojë njeriun nga mëkati. Sidoqoftë, argumentoi Atë Cantalamessa, tepër e përciptë do të ishte t’i atribuoje Lindjes një vizion më optimistik e më pozitiv për njeriun e për shelbimin, ndërsa  perëndimit, më pesimistik

Krishtërim gazmor e ngjitës

Më pas predikatari vlerësoi lart, parë si “rrymë hiri” në Kishë, lëvizjet pentekostale e karizmatike, duke  i quajtur si “shans” për Kishën e për botën, si kristianizëm gazmor, ngjitës, i jetuar nën pushtetin e Shpirtit Shenjt, që nuk ka asgjë të përbashkët me pesimizmin e zymtë të Nitzsche-s. Nuk është fjala për të hyrë në këto lëvizje, theksoi predikatari, por për t’ia hapur zemrën hirit të Shpirtit Shenjt në çdo gjendje që jeton njeriu. Shpirti Shenjt nuk është monopol i askujt, aq më pak i lëvizjeve pentekostale e karizmatike. Rëndësi ka të mos mbetesh jashtë rrymës së hirit, që përshkon, në forma të ndryshme, mbarë krishterimin, të shikosh në të një nismë të Hyjit, e jo një kërcënim ose një depërtim të huaj në katolicizëm.

Faleminderit ortodoksëve

Si përfundim, tha atë Cantalemesa, pasi foli për lëvizjet karizmatike të Kishës katolike, shansi që përfaqëson e gjithë kjo për katolikët, është të ngjitë përsëri shpatin e rrëpirtë e t’i rikthejë shëlbimit të krishterë përmbajtjen e pasur e ngazëlluese pozitive, që përmblidhet në dhuratën e  Shpirtit Shenjt. T’i lëmë vëllezërit ortodoksë të mendojnë nëse kjo rrymë hiri na përket vetëm ne, Kishave të perëndimit e të lindurave prej tyre, apo nëse edhe Lindja e krishterë ka nevojë për  Rrëshajë të reja. Ndërsa nuk mund të mos i falënderojmë për ruajtjen dhe mbrojtjen e guximshme gjatë shekujve të  idealit të bukur  e galdues  të jetës së krishterë, nga i cili përfiton mbarë krishterimi, edhe përmes mjetit të heshtur të ikonës.  








All the contents on this site are copyrighted ©.