2015-03-26 13:35:00

Françesku dhe Lutja për paqen në 500-vjetorin e Shën Terezës së Avilës


Një lutje botërore me rastin e 500-vjetorit të lindjes së Shën Terezës së Avilës. E propozuar nga Karmelitanët e zbathur, të cilët sivjet e kujtojnë Mistiken e madhe spanjolle me një sërë kremtimesh në të pesë kontinentet. Nismën e mbështet edhe Papa, që lartoi lutjen e tij në fillim të Meshës së sotme në Shtëpinë e Shën Martës, në praninë e eprorit të përgjithshëm të Karmelitanëve të zbathur e të mëkëmbësit të tij.

Lutja, thelbi i jetës së Terezës

Lutja ishte thelbi i jetës së Shën Terezës së Avilës, e një lutje të pakufishme, që sot e deri të shtunën, ditëlindja e 500-të e Shenjtores – deshën Karmelitanët e zbathur për ta kujtuar e për të vijuar ecjen në gjurmët e saj. Lutjet për paqen në botë, që po i lartohen Zotit në të pesë kontinentet, u frymëzuan nga vetë Mistikja, që besonte ngultas në forcën e dialogut të vazhdueshëm e të frymëzuar nga një fe e fortë, ndërmjet njeriut e  Hyjit:

“Bashkohem me gjithë zemër me këtë nismë, duke uruar që zjarri i dashurisë të fitojë mbi aksidentet e luftës e të dhunës, që trondisin njerëzimin e dialogu të ketë epërsi kudo mbi ndeshjen e armatosur. Shën Tereza e Jezusit ndërmjetësoftë për lutjen tonë”.

Prekës, ky çast i lutjes së Papës për paqen, lartuar nga elteri i Shën Martës. Me jehonë në mbarë botën katolike e, posaçërisht, ndërmjet Karmelitanëve, vëllezër e motra fatlume të dy Terezave: Terezës së Avilës e Terezinës së Krishtit Fëmijë që, më vonë frymëzuan një Terezë  të tretë, të Lumen Terezë të Kalkutës.








All the contents on this site are copyrighted ©.