2015-03-25 15:10:00

Papa lutet për Sinodin: Kisha nuk e braktis familjen, edhe kur është në mëkat


“Lidhja e Kishës me familjen është e shenjtë, e pacënueshme, sepse familja është bashkësi dashurie e jete, e bekuar nga Zoti që në zanafillë. Papa Françesku e ripohoi këtë parim në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke ia kushtuar katekizmin Sinodit për familjen e duke i ftuar të krishterët të luten për takimin e madh sinodal të tetorit.

Ligji i vathës është mëshira, prandaj portat e saj janë e mbeten të hapura, bën a s’bën pjesë në këtë vathë. Françesku flet për familjen e, si gjithnjë, zemra e tij bëhet e gjerë, e gjerë, sa t’i zërë të gjitha familjet e botës, kur prek këtë argument kaq të dashur për të. Në ditën e solemnitetit të Lajmërimit të Zojës, e ndërpret katekizmin mbi një temë të trajtuar prej javësh, ndonëse vijon të flasë përsëri për familjen, por këtë radhë, në këndvështrimin e Sinodit. E mesazhi drejtuar turmës, lagur deri në palcë nga shiu, që reshet si në ditët dimërore mbi Sheshin e Shën Pjetrit, është i ngarkuar me dhimbsuri, me gatishmëri për të ndihmuar çdo familje në vështirësi, me ngrohtësi pranverore:

“Lidhja e Kishës me familjen është e shenjtë, e pacënueshme! Kisha, si Nënë, nuk e braktis kurrë familjen, edhe kur ajo është e shkurajuar, e  plagosur, e lënduar në një mijë mënyra. Nuk e braktis as kur bie në mëkat, as kur largohet nga Kisha. Bën gjithnjë ç’është e mundur për ta mjekuar, për ta shëruar, për ta ftuar të kthehet në vathë e të pajtohet me Zotin”.

Mëshirë për kë është i këputur

Mijëra ombrellat ngjyra-ngjyra, nën të cilat mbroheshin nëna, baballarë, të rinj, fëmijë, pikturonin në Sheshin e Shën Pjetrit një mozaik të çuditshëm pranveror, nën shi. Si të donin të përforconin mesazhin, që bëri publikisht Françesku. Kisha, theksoi, angazhohet solemnisht të kujdeset për familjen, që lind nga një çift  bashkëshortësh, si dhuratë e Zotit për vetë jetën e saj, në ditë të mira e të këqija:

“Dëshiroj që kjo lutje, ashtu si e gjithë udha sinodale, të frymëzohet nga mëshira e Bariut të Mirë për grigjën e tij, posaçërisht për njerëzit dhe familjet, të cilat, për arsye nga më të ndryshmet, janë të lodhura e të kapitura, si delet pa bari. Kështu e mbështetur dhe e  gjallëruar nga hiri i Tënzot, Kisha mund të angazhohet edhe më shumë, mund të bashkohet më fort në dëshmimin e së vërtetës së dashurisë së Hyjit e të mëshirës së Tij për familjet e botës, pa përjashtuar asnjë, brenda a jashtë vathe”.

Familja, bashkësi dashurie

Pak përpara, duke kujtuar se pikërisht më 25 mars, 20 vjet më parë, Gjon Pali II shpallte Enciklikën e tij “Evangelium vitae”, Françesku foli plot admirim për lidhjen familjare të Jezusit, Marisë e Jozefit e, prej këndej, për shenjtërinë e martesës para syve të Zotit, ashtu si e pati kënduar Papa Poet, mësues i madh për shumë familje:

“Fjala e paraardhësit tim të nderuar na kujton se çifti njerëzor u bekua nga Zoti që në zanafillë, për të formuar një bashkësi dashurie, së cilës iu besua misioni i vazhdimësisë së jetës njerëzore, përmes lindjes së fëmijëve. Bashkëshortët e krishterë, duke kremtuar Sakramentin e Martesës, me hirin e Zotit, tregojnë gatishmërinë e tyre që ta nderojnë këtë bekim për tërë jetën” .

Lutja për Sinodin

Katekizmi i sotëm përfundoi me një lutje, hartuar si urim për Sinodin e ardhshëm. Lutja, e shtypur pas një figureje, iu shpërnda turmës, për t’u thënë në kor. Eshtë lutje kushtuar Familjes Shenjte, ikonë e dashurisë së vërtetë, që t’i bëjë familjet e krishtera shkolla të vërteta të Ungjillit e Kisha të vogla shtëpiake:

“… O Familje e Shenjtë e Nazaretit:

ndihmoi familjet që kurrë më

të mos i provojnë dhunën, grindjet, përçarjet:

kushdo është i plagosur apo i shkandulluar,

u ngushëlloftë e u shëroftë sa më shpejt!”.

Në përfundim të audiencës, ndërmjet tjerash, Françesku u uroi mirëseardhjen Lëvizjeve për Jetën dhe shoqatave të tjera, që kanë të njëjtin qëllim, të pranishme në Shesh. 25 marsi, kujtoi Papa, në shumë vende kremtohet si Dita për jetën.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.