2015-03-25 16:09:00

Atë Samir: vendet myslimane duhet të jenë të parat për ta ndaluar Is


Jemeni po shkon drejt luftës civile. Rebelët shiitë Houti, që tashmë kontrollojnë kryeqytetin Sana’a dhe veriun e vendit, kanë nisur sulmin drejt jugut e lindjes. Ish kreu i shtetit, Hadi, nga qyteti Aden, denoncon ndërhyrjen e Iranit, duke i kërkuar ndihmë OKB-së dhe Këshillit të bashkëpunimit të Gjirit. Lind pyetja: “Sa mund ta favorizojë përparimin e al Kaedës dhe të Shtetit të vetëshpallur Islamik në zonën e Lindjes së Mesme e në mbarë veriun afrikan, kaosi institucional dhe lufta për pushtet në Jemen? Intervistuam atë Samir Khalil Samir, pedagog i historisë së kulturës arabe dhe i islamologjisë pranë Universitetit të Shën Jozefit në Bejrut:

Përgjigje: - Shteti islamik bredh kudo ka probleme, për të krijuar probleme të reja e për të shtënë në dorë zona të ndryshme të Lindjes së Mesme. Përveç Sirisë e Irakut, që synoheshin së pari, kaloi pastaj në Libi. E tani, duke parë se në Jemen ka shpëthyer lufta ndërmjet shtetit e shiitëve, përfituan edhe atje, sikurse në Tunizi, ku ka më shumë turistë. Më parë këtu ishte një qeveri filo-islamiste, ndërsa tani vendi është kthyer në gjendjen e mëparshme. Duan të krijojnë probleme, kudo që munden. Kanë edhe skuadra vendase, gati për t’u hedhur në erë, që të mund të thonë: “Jemi kudo, jemi më të fortët, më barbarët, nuk kemi frikë nga askush!”.

Pyetje: - Ju mendoni se realiteti i Shtetit të vetëshpallur Islamik vijon të nënvleftësohet nga bashkësia ndërkombëtare?

Përgjigje: - Bashkësia ndërkombëtare, në të vërtetë, nuk mund të bëjë shumë, sepse do t’i duhej më parë t’i kishte nën kontroll absolut të gjitha këto vende arabe. E këtë nuk mund ta bëjë. Nëse nesër sulmojnë Marokun e Maroku nuk është i përgatitur, bota nuk mund ta zëvendësojë në tërësinë e rajonit. Gjë tjetër është se me sistemin e përdorur, atë të kamikazeve, nuk mund të parashikohet asgjë: kamikazja paraqitet si njeri  i zakonshëm, pavarësisht nga bomba, që ka me vete. E është gati të hedhë në erë vetën e një mori njerëzish të tjerë. Synon të shkojë ku ka turma, në xhami, në kisha, në supermerkate... Atje i pëlqen të shpërthehet e të shpërthejë. Jetojmë në një atmosferë marrëzie!

Pyetje: - Mendoni se është për t’u përjashtuar çdo mundësi e ndërhyrjes me forcë në territoret tashmë të pushtuara e nën kontrollin e forcave të Is?

Përgjigje: - Problemi është për çfarë tipi forcash bëhet fjalë. Në këtë rast nuk mund të përdorësh avionët bombardues. E kjo, sepse njerëzit e Is përzjehen nëpër lagje, e këtë e bëjnë me qëllim, ngaqë e dijnë se kështu forcat ajrore nuk mund ta marrin guximin të bombardojnë. Kjo është e drejtë, mbasi nuk mund të vritet një kamikaze, duke vrarë me të edhe dhjetra njerëz. As që mund të mendohet kjo. Është çnjerëzore. E vetmja mundësi mbetet ndërhyrja tokësore, trup me trup. E këtë po e bëjnë, ose, më mirë të themi, po provojnë ta bëjnë kurdët e edhe ndonjë grup asirësh, për t’u mbrojtur kundër këtyre barbarëve të egër, gjë që e bëjnë duke rrezikuar jetën e tyre. Vështirë që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë ushtarakisht. Mundet vetëm t’i ndihmojë bashkësitë vendase me mjete, aparate etj etj…

Pyetje: - Atëherë mund të themi se është vërtet për t’u shqetësuar…

Përgjigje: - Po, por nga ana tjetër, nuk duhet tepruar në vlerësimin e forcës së tyre. Forca e tyre është se nuk kanë asnjë skrupull e mund të sulmojnë ku t’u teket, kur u teket.

Pyetje: - Nuk e kuptoj sesi mund të rrimë e ta bëjmë sehir këtë që po ndodh, pa ndërhyrë me shpejtësi për t’i dhënë fund….

Përgjigje: - Para së gjithash, ndihma, përsa është e mundur, do të ishte të mos u jepej mundësia të armatosen këta njerëz. E kjo u takon, para së gjithash, vendeve të Lindjes së Mesme. Armët vijnë nga perëndimi. Lindja nuk i prodhon, por shtetet arabe janë të gatshme t’i blejnë, së paku, vendet e pasura. E ka shumë mundësi që disa prej këtyre vendeve ia japin armët Is-it

Pyetje: - Prej këndej, mendoni se përgjigjja duhet të vijë nga vendet myslimane?

Përgjigje: - Duhet të vijë nga vendet myslimane, natyrisht. E këtë po nisin ta thonë edhe imamët e rëndësishëm: “Duhet bërë revolucion në interpretimin e Kuranit, duhet rimenduar i tërë Islami, në përkim me botën e sotme, duke filluar nga klasat e para, deri në universitet e deri në fakultetet e teologjisë… Duhet kohë, por duke filluar që sot!








All the contents on this site are copyrighted ©.