2015-03-24 13:34:00

Peru: Papa inkurajon Marshimin për jetën


“Rroftë jeta!”: me këtë thirrje Papa inkurajoi pjesëmarrësit në Marshimin për jetën, që përshkoi, të shtunën e kaluar, rrugët e Limës, në Peru. Në një mesazh, drejtuar kryeipeshkvit të qytetit, primat i Kishës vendase, kardinalit Juan Luis Cipriani Thorne, Françesku, që e vlerësoi lart nismën, shkruan: “Bashkohem në lutje me angazhimin për ta mbrojtur e për ta promovuar pasurinë kryesore të njeriut, jetën, nga zënia, deri në perëndimin e saj të natyrshëm. Aborti nuk është e drejtë, as vlerë moderne. Nuk është, as nuk mund të jetë, sepse jeta njerëzore është e paprekshme, e patjetërsueshme, e padhunueshme, edhe atëherë kur nuk ka parë ende dritën e kësaj bote!”

Prej këndej, pjesëmarrësit në Marshimin për jetën, kërkojnë të mbrohen fëmijët ende të palindur, të mos përligjet aborti, të respektohet e drejta e prindërve për edukimin e fëmijëve. E u kërkojnë të gjithë besimtarëve dhe të luten për martirët, që vriten “vetëm e vetëm sepse predikojnë Ungjillin e jetës, Ungjillin e Jezusit”.

Kujtojmë se Marshimi për jetën në Peru organizohet çdo vit, në prag të Ditës kushtuar  fëmijëve ende të palindur, në program për datën 25 mars. Organizohet për të rikujtuar nenin 1 të Kushtetutës Politike kombëtare, në të cilin pohohet: “Mbrojtja e njeriut dhe respekti për dinjitetin e tij janë qëllimi më i lartë i shoqërisë dhe i Shtetit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.