2015-03-24 13:40:00

Françesku: Zoti na ndihmoftë të mos jemi të krishterë “po, por…”


“Hiri që sjell me vete Java e Madhe i ndihmoftë të krishterët ta pranojnë, pa kritika e pa ankime, ndihmën, që u jep Zoti e edhe mënyrën si ua jep”. Është mësimi i nxjerrë sot nga Papa Françesku prej leximeve liturgjike të ditës, shpjeguar gjatë homelisë së Meshës, të cilën e kremtoi, si zakonisht, në Shtëpinë e Shën Martës.

“Teka shpirtërore para Zotit, që të ofron, në njëmijë mënyra, shëlbimin. Vetëm e vetëm sepse jemi njerëz, që nuk dimë ta pranojnë stilin hyjnor e trishtohemi e shkasim në ‘mërmëritje’, gabim ky, që sot e bëjnë shumë të krishterë, ashtu siç e bënin edhe dikur. Na e tregon Bibla, duke rrëfyer ravgimet e popullit hebre, të shpëtuar nga skllavëria”.

Papa Françesku u nis nga episodi i propozuar prej Librit të Numrave, atij, në faqet e të cilit hebrenjtë nisin rebelimin, të lodhur e të këputur, siç janë, nga endja pa cak nëpër shkretëtirë, të ushqyer tepër lehtë me mannën e rënë nga qielli. Ligështohen e tërbohen deri në atë masë, sa nisin të marrin nëpër gojë vetë Zotin. E shumë prej tyre shuhen mbi rërën e përvëluar të shkretëtirës, të kafshuar nga gjarpërinj helmues. E vetëm lutja e Moisiut, që ndërmjetëson për ta dhe larton shtagën me gjarpërin në majë - simbol i kryqit mbi të cilin do të varej Krishti -  i shpëton nga helmi, ata që ia ngulin sytë, plot shpresë.

“Kjo ndodh edhe ndër ne, të krishterët. Sa nga ne ndjehen të helmuar nga pakënaqësitë e jetës! Po, vërtet, Zoti është i mirë, por, të krishterët, po, por… Të krishterë po, por… E kanë vështirë t’i hapin zemrat për shëlbimin e Zotit e nisin e vënë vazhdimisht  kushte: “Po, por kështu e ashtu…”. “Po, e si jo, dua të shëlbohem, por nëpër këtë rrugë që më pëlqen, jo në tjetrën!”. Kështu zemra nis e mbushet me vrer".

Edhe ne, vijoi Françesku, shpesh herë themi se na është velur stili hyjnor. Mospranimi i dhuratës së Hyjit me stilin e tij: ky është mëkati, nënvizoi Papa. Ky, helmi! Kjo ta vreros zemrën, ta  zhduk gëzimin, ta pret rrugën. E Jezusi, vijoi Françesku, e zgjidh këtë mëkat, duke u ngjitur në Kalvar.

Ai vetë e merr mbi vete vrerin, mëkatin e lartohet. E merr këtë acar zemre, këtë prirje për të qenë i krishterë përgjysëm, “i krishterë, po, por…”.

Ky entuziazëm fillestar në ndjekjen e rrugës së Zotit, pasuar nga pakënaqësia, shërohet vetëm duke ia ngulur sytë Kryqit, duke shikuar Zotin, që merr mbi vete barrën tejet të rëndë të mëkateve tona: e edhe mëkati im është atje, mbi Kalvar!

Sa të krishteë, përfundoi Françesku, vdesin sot në shkretëtirat e trishtimit të tyre, shuhen në mërmëritjet e tyre, të pakënaqësisë së tyre ndaj stilit të Zotit.

“Ta shikojmë gjarprin, helmin, atje, në korpin e Zotit, helmin e të gjitha mëkateve të botës, e të gjitha mëkateve tona, e të lypim hirin për t’i pranuar çastet e vështira. Ta pranojmë stilin hyjnor të shëlbimit, ta pranojmë shujtën e lehtë, për të cilën qaheshin hebrenjtë, t’i pranojmë ngjarjet, ashtu si vijnë… T’i pranojmë udhët, nëpër të cilat Zoti na çon përpara. E udhët e kësaj Jave të Madhe, që po fillon!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.