2015-03-23 14:11:00

“Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve. Lectio divina


 Në rubrikën e sotme “Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve, shfletojmë një kapitull të ri të doracakut të Papës Françesku, që na përgatit për udhën tonë kreshmore. Titullohet “Praktika shpirtërore”. Tema e parë, “lectio divina”,   shpjegohet përmes një fragmenti, shkëputur nga enciklika e Françeskut, “Evangelii gaudium”, nn. 152-153:

“Ekziston një mënyrë konkrete për ta dëgjuar atë, që dëshiron të na thotë Zoti në Fjalën e tij e për ta lënë Shpirtin e Hyjit të na shndërrojë. Këtë e quajmë “lectio divina” (meditimi i Fjalës së Zotit”). E kjo do të thotë ta lexosh Fjalën e Zotit në një çast lutjeje, për t’u shndritur e për t’u përtërirë prej saj.

Leximi shpirtëror i një teksti duhet të niset nga kuptimi i tij i mirëfilltë. Përndryshe na  shtyn ta kuptojmë tekstin ashtu si na pëlqen e t’ia përshtasim skemave tona mendore. Në praninë e Zotit, në një lexim të qetë të tekstit, është e mira të pyesësh, për shembull: “Zot, ç’ kërkon të më thotë ky tekst? Çfarë dëshiron të ndërrosh në jetën time me këtë mesazh? Ç’më trazon, kur e lexoj këtë tekst? Pse nuk më intereson?”. Ose “Ç’më pëlqen e çka më nxit  në këtë Fjalë? Çfarë më josh? E pse?”.

Kur kërkon ta dëgjosh Zotin, është normale të kesh edhe tundime. Një prej tyre është ta ndjesh veten të mërzitur, të ndrydhur. E të mbyllesh në vetvete. Tundim tjetër, shumë i zakonshëm, është të mendosh çka u thotë teksti të tjerëve, për të shmangur mendimin se duhet ta zbatosh ti vetë, në jetën tënde.

Ndodh edhe që ndokush ia nis e kërkon pretekste, thjeshtë për ta mekur mesazhin e posaçëm të një teksti.

Herë të tjera mendojmë se Zoti kërkon nga ne të marrim një vendim tepër të vështirë, që nuk jemi ende në gjendje ta marrim. Kjo bën që shumë njerëz ta humbasin gëzimin e takimit me Fjalën e Zotit, gjë që do të thotë të harrosh se askush nuk është më durimtar sesa Hyji Atë, se askush nuk di të kuptojë e të presë, si Zoti. Ai fton gjithnjë për një hap më shumë, por nuk kërkon përgjigje të plotë, nëse nuk e kemi    përshkuar ende udhën, që e bën të mundur këtë përgjigje. Thjeshtë, dëshiron ta shikojmë me sinqeritet jetën tonë e të tregojmë, pa hipokrizi, para syve të tij, se jemi gati të vijojmë të rritemi e se ia kërkojmë Atij, çka nuk mundemi akoma ta arrijmë me forcat tona.








All the contents on this site are copyrighted ©.