2015-03-23 13:47:00

Pranvera e shpresës: Papa: guxim, për t’ia ndryshuar faqen botës!


Ndër pamjet, që të mbeten në kujtesë nga vizita e Papës në Napoli, të shtunën e kaluar, është, pa dyshim, ajo e Françeskut që flet, i rrethuar nga fëmijët. Në ditën e parë të pranverës, u flet fjalë shprese, që shkojnë shumë përtej kufijve të këtij qyteti të mrekullueshëm e të shpërfytyruar. Fjalë, që gurrojnë nga një fjalë e vetme: Jezus! E vetmja forcë, për t’ia ndryshuar faqen botës, siç nënvizoi Bergoglio, duke kremtuar Meshën me ipeshkvijtë kampanë, në Sheshin napoletan të Plebishtit.

Vizita papnore nisi në mëngjes heret, nën shenjën e Marisë, që nderohet në Shenjtëroren e Pompeit: “Kemi nevojë për Zojën e Bekuar, që të na ruajë”, u shpjegoi me thjeshtësi besimtarëve, të cilët e pritën e, menjëherë pas, deshi të hyjë në qytet nga njëra prej lagjeve të tij më të vështira që, pavarësisht nga sulmet e së keqes, nuk e humbet kurrë guximin: “Kur nuk e shikon asgjëkundi bukurinë, kërkoje brenda vetes,  në shpirtin tënd!”, ftonte një parullë vigane mbi tribunën papnore.

E fjala e Françeskut, i cili më shumë improvizoi, u ngjalli fuqimisht të gjithëve dëshirën për  të rifilluar një jetë të re. “Kjo është sfidë e bukur: të mos e lësh kurrë të keqen ta thotë fjalën e fundit”, tha Papa, duke iu përgjigjur, më pas, përshëndetjes së një emigranteje filipinase, të një punëtori e të një gjykatësi. Françesku preku pikat, që i ka posaçërisht për zemër e që kanë të bëjnë me temën qendrore të dinjitetit të çdo njeriu. I çuditur nga që i kërkohej të pohonte të drejtat e emigrantëve, Papa nënvizoi me forcë se janë njëlloj si të gjithë, sepse të gjithë jemi në shtegtim drejt një atdheu tjetër. Motiv, ky, që vjen mes nesh, nga burimet më të lashta të krishtera.

Bëri, pastaj, një thirrje të fuqishme kundër papunësisë, posaçërisht të të rinjve, e kundër punës në të zezë: “Kjo mungesë pune na rrëmben dinjitetin. Duhet të luftojmë për këtë, duhet ta mbrojmë dinjitetin tonë  si qytetarë!”.

E kështu, deri në dënimin pa mëdyshje të korrupsionit e në lavdërimin e politikës  së mirë, që është një nga shprehjet më të larta të dhimbsurisë, të shërbimit e të dashurisë.  Fjalë kuptimplote, me vlerë jo vetëm për realitetin napoletan e atë italian, në një situatë historike, e cila ka nevojë urgjente të rizbulojë arsyet, civile e fetare, që duhet ta shtyjnë t’i kundërvihet haptazi korrupsionit e të angazhohet me forcë politikisht, në se dëshiron të ecë përpara, ta spastrojë shoqërinë e botën nga “kalbësirat, që qelben!”.

Këto tema jehuan përsëri në homelinë, mbajtur gjatë Meshës, kremtuar në Sheshin e Plebishitit e në takimin me të burgosurit e Poggioreales, nën shenjën e shpresës, moto e kësaj vizite, në një Napoli, që e priti Papën me shumë entuziazëm. “Sot nis pranvera e pranvera sjell shpresë’, tha Françesku, duke shtuar se në këtë kohë shprese e sotmja e Napolit është kohë shpëtimi, kohë e hapur për ardhmërinë e Zotit’”.

Korrupsioni e kriminaliteti nuk duhet t’ia shëmtojnë fytyrën këtij qyteti të mrekullueshëm (e asnjë qyteti tjetër të botës). Papa u kërkon të gjithëve t’u kundërvihen me vendosmëri organizatave kriminale, që shfrytëzojnë e korruptojnë, domethënë krijojnë një shoqëri të kalbur, nga e cila s’mund të presësh tjetër, veç duhmës së qelbur! E këtë ua kërkon edhe, e posaçërisht, kriminelëve, të cilët Françesku i ftoi, përvujtërisht, si vëlla, të bëjnë kthesë e t’ia besojnë veten mëshirës hyjnore, duke i siguruar se me faljen, mund të rikthehen në jetën normale.

Edhe në Scampia, kujtoi se e keqja nuk mund ta ketë kurrë fjalën e fundit e, në vijim, dënoi ashpër diskriminimin e emigrantëve, papunësinë e korrupsionin. Me bindjen se Napoli është gati të rilindë e të shkojë përpara në pastrimin e shpirtit të vet, në pastrimin e qytetit e në pastrimin e shoqërisë, ashtu si të gjitha qytetet e botës, që kanë nevojë për një pastrim të tillë, në kohët tona të ngarkuara me shqetësime e stuhi.

Në përfundim të ditës Papa u ndal në burgun e Poggioreales, ku drekoi me përfaqësues të të burgosurve e dëgjoi dëshmitë e tyre. E pas vizitës në katedrale dhe nderimit të relikeve të Shën Gjenarit, gjaku i të cilit u shkri përgjysëm, si të kërkonte shndërrim të plotë, jo të përgjysmuar të zemrës njerëzore e të shoqërisë, shkoi  në Bazilikën e Jezusit të Ri, për t’u takuar me të sëmurët, e, ëmbëlsira në fund, edhe me të rinjtë, në Shëtitoren bregdetare, ku rinia e priti, ashtu si di t’i presë  vetëm ajo,  njerëzit që i sjellin guximin, dritën e shpresën e Ungjillit.   








All the contents on this site are copyrighted ©.