2015-03-23 13:32:00

Papa, klerit të Napolit: kush bën thashetheme është terrorist


Ju njoftuam gjerësisht për ditën e shtunë, që Papa Françesku e kaloi në Napoli, ku dha mesazhe të rëndësishme jo vetëm për napoletanët, por për të gjithë besimtarët e njerëzit vullnetmirë. E veçantë, biseda e tij me klerin vendas, të cilit iu drejtua pa letër.

Gjatë ceremonisë së lëngëzimit të gjakut të shën Gjenarit, kryeipeshkvi i Napolit, kardinali Sepe tha: “Shenjë që shën Gjenari e do fort Papën, i cili është “napoletan” si ne, …gjysma e gjakut është lëngëzuar tashmë!” E Papa Françesku: “Ipeshkvi tha se gjaku është shkrirë përgjysëm: shihet se Shenjti na do përgjysëm. Duhet të ndryshojmë pak të gjithë, që të na dojë më shumë”.

Ati i Shenjtë Bergoglio i ftoi të gjithë të kthehen në udhën e Hyjit. E klerit i foli pa letër, sepse siç tha vetë, fjalimet e përgatitura janë “të mërzitshme”. Kështu reflektimi i tij mori shkas nga pyetjet e don Aldo Giosuè dhe të atë Salvatores, mbi bukurinë e meshtarisë dhe mbi shenjat e shpresës në jetën e shuguruar.

Thashethemet të shkatërrojnë

 Udha për t’u kthyer kah Zoti, nënvizoi Papa, është të shkojmë përtej thashethemeve, që “shkatërrojnë”: “Ai që bën thashetheme është terrorist, që hedh një bombë, shkatërron e ai vetë, i lan duart”.

Djalli, shtoi Ati i Shenjtë, “na tundon gjithnjë me xhelozi, zili, luftra të brendshme, antipati”, të cilat nuk na ndihmojnë të krijojmë një vëllazëri të vërtetë, përkundrazi, me këto sjellje e qëndrime japim dëshminë e ndarjes e të përçarjes. Nëse thirrja për t’iu kushtuar Zotit do të thotë të mos kesh familje, fëmijë, dashuri bashkëshortore, për të përfunduar në ndonjë zënie me ipeshkvin, me vëllezërit meshtarë, me besimtarët, “kjo nuk është dëshmi”.

Vëllazërimi

 Udha e vërtetë, i kujtoi Papa klerit napoletan, është ajo e vëllazërimit dioqezan, meshtarak e rregulltar. Seminaristëve u tha:

 “Nëse nuk e keni Jezusin në qendër, shtyjeni shugurimin. Nëse nuk jeni të sigurtë se Jezusi është qendra e jetës suaj, prisni pak për të qenë të sigurtë. Sepse, në të kundërtën, do të filloni një rrugë, që nuk e dini si mund të përfundojë”.

 E pastaj: “Rregulltarët ose meshtarët e mërzitshëm, me hidhërim në zemër, të trishtë, kanë diçka që s’shkon e duhet të trokasin tek një këshilltar i mirë shpirtëror, tek një mik, e t’i thonë: ‘Nuk e di ç’po ndodh me jetën time’”.

Jeta e kësaj bote nuk na ndihmon

Ati i Shenjtë vuri në dukje se Kisha ndjek frymën e varfërisë, që nuk do të thotë mjerim. Ajo nuk duhet të përzihet me afarizëm e nuk duhet të shkojë pas frymës së botës. Papa Françesku tregoi për një kuvend murgeshash në Argjentinë, që kishin vënë një televizor në çdo dhomë. “Kur vinte ora e telenovelës – ironizoi Papa – nuk gjeje murgeshë në këmbë”.

 Së fundi, ftesa e Papës për t’iu lutur Zojës së Bekuar, që të na çojë të Biri e, kërkesa për të dalë me zell apostolik (jo si ojq) e për të predikuar kudo Zbulesën e Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.