2015-03-23 15:08:00

Atë Emanuele Giordano në dëshminë e dom Lush Gjergjit


Figura poliedrike e studiuesit dhe priftit të njohur arbëreshë, Atë Emanuele Giordano, Papas Maoli (Emanuele) Giordano nga Frasnitë, që ndërroi jetë më 17 shkurtin e kaluar, në spitalin e Lungros, në moshën 95 vjeçare., në dëshminë e priftit kosovar, dom Lush Gjergjit.

Kujtojmë se më 18 shkurtin e kaluar u kremtua Liturgjia e Shenjtë e dritës dhe funerali i të ndjerit Papas Emanuelit, udhëhequr nga ipeshkvi arbëresh imzot Olivero Donato, me një pjesëmarrje korale të botës arbëreshe e të gjithë atyre që e njohën, nderuar, deshën e respektuan dhe deshën shumë, duke dhënë lamtumirën me respekt të madh e mirënjohje ndaj Hyjit, për dhuratën e madhe që ishte për të gjithë papas Maoli.

Shtyllë e identitetit dhe studiues i kulturës arbëreshe, papas Maoli qe një ekspert e studiues i vëmendshëm i filologjisë, letërsisë italiane e arbëresheve, është autor i shumë veprave të rëndësishme si fjalori madh “Arbëresh-italiano”, për leksikografinë arbëreshe, veprat “Gramatike Arbershe”, “Mbledhje këndimesh arbëreshe çë këndohen në Ejaninë e Frasnitë”; “Gramatikë arbëreshe”, “Vangjeli” (Ungjilli) etj. Figurë poliedrike, papas Maoli u mor me histori, letërsi, folklor e muzikë arbëreshe liturgjike e kombëtare. Është kujdesuar për botimin kritik të veprës së shkrimtarit arbëresh Bernardo Bilotta, me titull “Shpata e Skënderbeut ndë Dibrët poshtë”, botuar nga Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.

Ja dëshmia e Vikarit të përgjithshëm të Kishës katolike të Kosovës, dom dr. Lush Gjergjit,

Atë Emanuele Giordano(1920-2015)  për herë të parë e kam takuar në Kalabri, në famullinë Ejanina në vitin 1970. Ishte Java e Madhe e Pashkëve. Me ftesë dhe përcjellje të Mons. Eleuterio Fortino, së bashku me Don Ndue Gjergjin, Don Aleksandër Kolën, udhëtuam prej Romës për Kalabri. Ishim studentë të Universitetit “Urbaniana.” Qëllimi dhe synimi ynë ishte  për t’i njohur dhe takuar vëllazëritë tanë Arbëreshë, “gjakun tonë të shprishur” gjatë shekujve, por gjithnjë të gjallë dhe të ngrohtë. Ishim mysafirë të familjes së Mons. Eleuterio Fortino,  në fshatin e njohur san Benedetto Ullano, vendlindja e tij. Ai na kishte mundësuar këtë vizitë, takim, njohje me botën arbëreshe.

 Ndër takimet e paharrueshme, përpos vizitave gati të gjitha bashkësive arbëreshe, riteve të liturgjisë lindore, ishte edhe takimi, ndeja, bisedimi  me atë Emanuele Giordano, njeri i ngritur, me kulturë të lartë, njohuri të thellë dhe dashuri të madhe, me fytyrë tipike dhe karakteristik arbërore.

Na bëri përshtypje erudicioni i tij për gjuhë, histori, letërsi dhe kulturë shqiptare. Biblioteka e tij ishte plot me libra. Mendova dhe vendosa: në duar dhe bibliotekë të tij ka vend edhe për botimet tona, për revistën fetaro-kulturore DRITA, që kishte filluar botimin  në Prizrenin tonë të lashtë. Qysh prej takimit tonë të parë rregullisht ia kemi dërguar Dritën, më vonë edhe disa botime tjera, Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri, Nëna jonë Tereze, Besëlidhja e Re... Çdo herë përgjigjej me fjalë të zgjedhura miradije dhe falënderimi, virtyt ky i njerëzve të mëdhenj dhe të mirë.

Takimi ynë i dytë ndodhi gjatë vizitës ndër Arbëreshë për mbledhjen e punimeve dhe krijimtarive kushtuar Nënës Tereze për monografinë “Lule për Nënën”. Ishim së bashku me Don Zef Gashin, famullitarin e atëhershëm të Prishtinës, tani arqipeshkvin e Tivarit, gjatë verës së vitit 1984.

Takim i ynë i tretë ishte prapë në Ejaninë, më 8 shkurt 1985. Me këtë rast ndër të tjera më tha kështu: “Ti ma dërgon rregullisht Dritën dhe shumë botime tjera ... Unë të kam borxh... Ja, pra, Fjalori i Arbërshvet t’Italisë, 1963, fq. 592,  me këtë përkushtim: “Mikut dhe Vëllaut të përdashur Lush Gjergjit. Me nderime dhe mall arbëresh. Papas Emanuil Jordani. Janinë, 8. II. 1985”.

Takimi ynë i katërt ishte me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Kalabri, ndër Arbëreshë (11-13 maj 2013). Isha së bashku me vëllain tim, Don Ndue Gjergjin, misionar te “Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Southfield të Detroitit.

Para një viti mësove nga nipi i tij Augustin Giordano, drejtori i revistës “Jeta Arbëreshe”, pjesëmarrës në Seminarin për Gjuhë, Letërsi dhe Kulturë Shqiptare në Prishtinë, se atë Emanuel Giordano fatbardhësisht ishte ende gjallë dhe mirë me shëndet.       

 E përshëndeta dhe i dhurova disa libra nëpërmjet nipit të tij, Agustinit, me dëshirë që të shiheshim sa më pare për t’i përtërirë kujtimet tona.

Mezi prita të takoheshim prapë, pas shumë viteve.. E gjeta në tavolinë të punës, të rrethuar me libra dhe shkrime. Ishte mjaft i freskët me mend dhe shumë i lumtur që rishtas ishim së bashku. I thashë: “Atë Emanuel, dashuria jonë është më e forte se koha dhe rrethanat e jetës. Ta solla edhe kësaj radhe një libër me meditime: Të ftuar dhe të dërguar”.

Pas dy dite, u ktheva rishtas për ta parë dhe ftuar në manifestimin qendror të Pavarësisë së Shqipërisë. E gjeta më librin tim në tavolinë. Më tha: “Bukur, u kënaqa në lexim dhe meditim. Erdha deri te faqja 28. Gjithnjë lexoj ndonjë rresht, mendim apo faqe. Janë tekste të bukura dhe përmbajtjesore…”. U përgjigja unë: “Ti  më do dhe shi për këtë edhe me çmon dhe nderon, I shijon edhe dromcat e vogla në sofër…”.  

 Pastaj ia shpjegova argumentin e ardhjes tonë dhe si  në hoka i thashë: “Ti i përket asaj periudhe, sepse linde vetëm tetë vite pas Pavarësisë. Eja, pra, e na ndero me praninë dhe fjalën tënde!”.

 Erdhi. Ishte shtrënguar mirë e mirë. Prania e tij i gëzoi shumë gjithë të pranishmit. I tha edhe dy fjalë rasti, dukshëm i emocionuar dhe ngazëllyer. Fjala e fundit ishte: “Urime, urime, dhe prapë urime!”.

Njeri për mrekulli në atë moshë! Mirë thotë populli ynë: “Nuk plaket zemra dhe dashuria!”.

Hera e pestë, e fundit, ishte kur pata përtëritjen shpirtërore për meshtarë dhe murgesha të Eparisë së Ungrit, me ftesë të Imzot Renato Oliverio (14 – 15 maj 2014).

 Atë Emanuele Giordano qetë, ndërroi jetë; kaloi në amshim, u kthye në shtëpinë e Atit më 17 shkurt 2015, duke lënë pas vete një histori, shumë kujtime dhe botime, një jetë kushtuar Zotit, Kishës Katolike, Popullit Shqiptar, sidomos Arbëreshëve, shembull atdhedashurie nëpërmjet kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë. Miqësia dhe vëllazëria, komunikimi ynë tashmë vazhdon edhe në amshim.

 Atë Emanuele Giordano ishte një prift arbëresh- i mirë dhe i njohur, mjaft i dalluar dhe afirmuar, intelektual i dorës së parë, i afërt dhe shumë i dashur, njeri që la gjurma të pashlyeshme në kulturën arbëroro-shqiptare, sidomos në lëmin e gjuhës dhe të liturgjisë. Zoti e shpërbleftë për shërbimin e madh flijues dhe dhurues, ndërsa kujtimi i tij lë të jetë ndër ne i gjallë dhe frymëzues për të gjithë, sidomos për brezet e reja. Pushoftë në paqe

Don Lush GJERGJI








All the contents on this site are copyrighted ©.