2015-03-22 14:38:00

Françesku: jeta jonë të jetë koherente: fjalët të përkojnë me veprat


 “Jeta jonë duhet të shprehë koherencë: çka themi, të përkojë me çka jetojmë” e të bëjë që të spikasë mesazhi i Ungjillit, besimi në Kryqin, forca e dëshmisë. Këtë uroi Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, të cilën e përfundoi duke i shpërndarë përsëri turmës, Ungjij xhepi. Më pas i bëri thirrje botës që përdorimi i ujit të jetë i lirë, për të gjithë, pa asnjë dallim. 

Françesku nuk ka qenë kurrë njeri i teorive të bukura. Më shumë se teoritë e bukura, i pëlqejnë gjestet, veprat, sepse e bëjnë të vërtetë e të prekshme fjalën, për atë, që e dëgjon. Edhe në përfundim të Engjëllit të parë të Tënzot të pranverës, në një ditë që të kujtonte më shumë fillimin e dimrit, sesa të stinës së luleve, Papa u bëri besimtarëve një dhuratë, në përkim të plotë me atë, që kishte thënë pak më parë. E ja se lutja mariane përfundoi pikërisht me një Ungjill, madje me 50 mijë ungjij xhepi, dhuratë e Atit të Shenjtë, që iu shpërndanë turmës nga 300 të pastrehë. Njerëz pa çanta e pa xhepa, mbushën plot çantat e xhepat e turmës me Fjalën e Zotit, duke u dhuruar, kështu, siç tha Françesku, “dritën” e “mirësinë”,  që sjell me vete praktika e leximit të një fragmenti ungjillor, çdo ditë:

“Duam të shikojmë Jezusin’: këto fjalë, si shumë fjalë të tjera në Ungjijtë, shkojnë përtej episodit të veçantë e shprehin diçka universale; shprehin një dëshirë, që përshkon epoka e kultura, një dëshirë të freskët, të sotme, në zemrën e shumë e shumë njerëzve, të cilët e kanë dëgjuar Krishtin duke folur, por nuk e kanë takuar akoma. Dëshiroj ta shikoj Jezusin: këtë u thotë zemra këtyre njerëzve”.

Episodi, që komentoi sot Françesku, ishte i shkëputur nga Ungjilli i ditës (Gjn 12,20-33). Fliste për disa grekë të fesë hebraike që, plot kureshtje për ta njohur nga afër Jezusin, i kërkojnë dishepujve të Tij ta ndihmojnë për ta takuar. E Jezusi, kujtoi Papa, e shfrytëzon rastin për të zbuluar diçka nga “identiteti” i Tij, përmes ngjarjes, që po ndodh para syve të tyre:

“Krishti deklaron se ‘do të lartohet nga toka’, shprehje, kjo, me kuptim të dyfishtë: ‘i lartuar”, sepse i kryqëzuar, e ‘i lartuar’, sepse i ngjitur në qiell nga Ati në Ringjallje, për t’i tërhequr të gjithë pas vetes e për t’i pajtuar me Hyjin dhe ndërmjet tyre. Ora e kryqit, më e errëta e historisë, është edhe burim i shëlbimit për ata, që besojnë në Të”.

Gjithnjë duke u folur grekëve, Jezusi i krahason Mundimet e Tij me kokrrën e grurit, që sjell fryt vetëm nëse vdes. Prej këndej, shtoi Françesku, Kryqi është edhe shenjë pjellorie. Prandaj, vijoi, atij, që dëshiron edhe sot ta shikojë Jezusin, pse e kërkon, pse ka mbetur te katekizmi i fëmijërisë a pse, mbase, edhe e ka humbur fare fenë, të krishterët mund t’i ofrojnë tri gjëra:

“Ungjillin, kryqin e dëshminë e fesë sonë, të varfër, po të sinqertë. Ungjilli: aty mund ta takojmë Jezusin, mund ta dëgjojmë, ta njohim. Kryqi, shenjë e dashurisë së Jezusit, që dhuroi vetveten për ne. E pastaj, një fe, që shprehet me gjeste të thjeshta e dashuri vëllazërore. Por, së pari, me koherencën ndërmjet asaj që themi e asaj që jetojmë; ndërmjet fjalëve e veprave. Ungjilli, kryqi, dëshmia”.

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi sa atletët e Maratonës së Romës, aq edhe besimtarët e guximshëm, që vijonin ta ndiqnin nga Sheshi, nën një shi gati dimëror. Pastaj falënderoi, ndërmjet tjerësh,  grupin “Imzot Romero”, i cili, kujtoi, së shpejti do të jetë i Lum. Por vëmendjen kryesore ia kushtoi Ditës së sotme, kushtuar nga OKB-ja ujit, element themelor për jetën. Nga aftësia jonë për ta ruajtur e për ta ndarë së bashku, theksoi me forcë Papa, varet e ardhmja e njerëzimit:

“E inkurajoj, prandaj, bashkësinë ndërkombëtare të përkujdeset që ujërat e Planetit të mbrohen si duhet e askush të mos përjashtohet ose të diskriminohet në përdorimin e kësaj pasurie që, për vetë natyrën e saj, është e përbashkët. Me Shën Françeskun e Asizit, prandaj, të themi së bashku: ‘Lavdue kjosh, o Zoti em, për ujin vëllá, / i cili âsht fort i dobishëm e i përvûjtë, i çmueshëm e i kulluet!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.