2015-03-21 18:31:00

Mesha e Papës: është koha e shpëtimit për Napolin, “kriminelë, ndërroni rrugë!”


Pas takimit të Scampia-s, Papa shkoi në Sheshin e Plebishitit për të kremtuar Meshën. “Ungjilli, që dëgjuam, tha në homeli, na paraqet një skenë të vendosur në Tempullin e Jeruzalemit, në kulmin e festës hebraike të tëbanave, pasi Jezusi shpalli një profeci të madhe, duke e quajtur veten “burim uji të gjallë”. E këtë e tha për Shpirtin, që kishin për ta marrë ata, të cilët do të besonin në Të (cfr Gjn 7, 37-39). Atëhere njerëzit, tejet  të prekur, nisën të flasin për Jezusin. Siç flasin edhe sot. Disa, të entuziazmuar, thonë: “Është me të vërtet Profet”. Ndokush shton: “Ai është Krishti”. Por të tjerë kundërshtojnë: “Mesia nuk vjen nga Galileja, por nga fisi i Davidit, nga Betlehemi. Pohojnë, kështu, pa e ditur, se Ai vetë është Jezusi. Krerët e priftërinjve kishin nisur rojet për ta arrestuar, siç bëhet ndër diktaturat, por ata kthehen duarbosh e thonë: “Kurrë s’ka ngjarë të  flasë kush, si Ai”. Ja që zëri i së vërtetës jehon në zemrat e këtyre njerëzve të thjeshtë.

Fjala e Hyjit është forcë, që e shndërron botën

Fjala e Hyjit, sot, si dje, vijoi Papa, shkakton gjithnjë ndarje: fjala e Hyjit ndan, gjithnjë. Shkakton ndarje ndërmjet atyre, që e pranojnë, e atyre, që e refuzojnë. Nganjëherë kundërshtimi ndizet edhe në zemrën tonë; kjo ndodh kur tërhiqemi nga bukuria dhe vërtetësia e fjalëve të Jezusit, e njëkohësisht, e kemi vështirë t’i pranojmë, sepse kushtojnë tepër shtrenjt, kur duhen vënë në jetë.  Kështu u shpreh Françesku e, duke iu drejtuar besimtarëve të shumtë, mbledhur në Shesh, pohoi: “Sot erdha mes jush, në Napoli, për të shpallur, së bashku: ‘Jezusi është Zoti. Askush nuk flet si Ai. Ai ka fjalë, që mund të shërojnë plagët e zemrave tona. Fjala e Krishtit është e fuqishme. Nuk ka pushtetin e botës, por atë të Hyjit, që është i fortë si në përvujtëri, ashtu edhe në ligështi. Pushteti i Tij është ai i dashurisë. Dashuri pa kufi, që na bën t’i duam të tjerët, para vetvetes. Kjo është forca, që ia ndryshon faqen botës. Nuk ka udhë tjetër për ta shndërruar botën!".

T’ua çojmë të gjithëve mëshirën, dhimbsurinë e miqësinë e Zotit

Fjala e Krishtit dëshiron të arrijë tek të gjithë, posaçërisht tek ata, që jetojnë në periferitë e ekzistencës, pët të gjetur në Të qendrën e jetës së tyre e burimin e shpresës. E ne, që patëm fatin ta marrim Fjalën e Zotit, jemi të thirrur të dalim nga  gjerdhet e jetës sonë e, me zjarrin e zemrës, t’ua çojmë të gjithëve mëshirën, dhimbsurinë, miqësinë e Hyjit: kjo është një punë, që u përket të gjithëve: të çojnë falje. Paqe. Gëzim. Çdo famulli e realitet kishtar duhet të bëhet shenjtërore, për atë që kërkon Zotin e strehë mikpritëse, për të varfërit, pleqtë e nevojtarët. Të shkosh e të mikpresësh: kështu rreh zemra e Kishës Nënë dhe e të gjithë bijve të saj. Shko e mikprit! Shko e kërko! Shko e ço kudo dashuri, mëshirë dhimbsuri!

Thirrje kriminelëve: kthejuni në rrugën e dashurisë e të drejtësisë

“Kriminelëve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tyre, si vëlla, u përsëris: ndërroni rrugë, ecni në rrugën e dashurisë e të drejtësisë. Lëreni mëshirën e Zotit t’ju prekë zemrat! Bëjuni të vetëdijshëm se Jezusi po ju kërkon për t’ju përqafuar, për t’ju puthur, për t’ju dashur edhe më shumë. Me hirin e Zotit, që fal gjithçka e gjithnjë, keni mundësi të filloni një jetë të ndershme. Jua kërkojnë këtë edhe lotët e nënave të Napolit, përzjerë me lotët e Marisë, Nënës qiellore, që lutet në Piedigrotta e në shumë kisha të tjera të Napolit. Këta lot i shkrijnë edhe zemrat më të ngurta e u prijnë të gjithëve në rrugën e së mirës”.

Është koha e shpëtimit të Napolit

“Sot fillon pranvera, e pranvera sjell me vete shpresën: është kohë shprese. E sot për Napolin është koha për ta shpëtuar Napolin": ky është urimi e edhe lutja ime, për një qytet, të cilit nuk i mungojnë forcat shpirtërore, kulturore, njerëzore e, posaçërisht, nuk i mungon aftësia e madhe për të dashur. Gjithë së bashku mund të ndërtoni një ardhmëri më të mirë. Në mëshirën e Jezusit, që i bën të reja të gjitha sendet, ky qytet mund të gjejë forcën për të ecur përpara me shpresë. Të shpresosh do të thotë t’i bësh ballë së keqes. Do të thotë ta shikosh botën me sytë e me zemrën e Zotit. Të shpresosh do të thotë të besosh në mëshirën e Zotit, që është Atë e fal gjithnjë.

Zoti jeton në Napoli

Papa e përfundoi homelinë me fjalët: “Hyji, burim i gëzimit tonë e arsye e shpresës sonë, jeton në qytetet tona. Zoti jeton në Napoli! Hiri e bekimi i Tij e mbështesin ecjen tonë në fe, në dashuri, në shpresë, i mbështesin dëshirat tuaja të mira e planet e përtëritjes morale e shoqërore. Shpallëm, në fillim, të gjithë së bashku, se Jezusi është Zoti. Ta shpallim edhe në fund, së bashku: “Jezusi është Zoti!”. “E ca ‘a Maronna v’accumpagne!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.