2015-03-21 17:40:00

Lutje për jetën në bazilikën e Zojës së Madhe


Do të jetë “Salus Populi Romani”, fugurja mariane shumë e dashur për Papën Françesku, e pranishme në lutjen e madhe ndërkombëtare kushtuar jetës, organizuar për të përkujtuar 20-vjetorin e Enciklikës “Evangelium Vitae” të shën Gjon Palit II. Mbrëmja e lutjes do të zhvillohet në Bazilikën e Zojës së Madhe, në Romë, më 24 mars.

Këshilli Papnor për Familjen, i cili e ka organizuar, dëshiron të falenderojë kështu Zotin për frytet, që ka sjellë baritoria në favor te jetës, sidomos ajo e Papës Vojtila. Gjithashtu, synon t’i njohë besimtarët me të mirat, që vijnë nga lutja për jetën e të kujtojë me ta jetën e pasosur, fat i çdo njeriu.

Lutja do të përshkojë tri etapa: do të fillojë në orën 17.00, pas përshëndetjes, me një çast reflektimi mbi disa elemente artistike të Bazilikës, që kanë të bëjnë me jetën, për të thënë më pas Rruzaren Shenjte në orën 18.00, ndërthurur me kundrimin e disa pjesëve të Ungjillit e me disa dëshmi të shkurtra. Në orën 19.00, do të kremtohet Eukaristia, kryesuar nga imzot Vincenzo Paglia, kreu i Këshillit Papnor për Familjen.

Lutja do të jetë edhe më e gëzueshme për shkak të karakterit të saj ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë me Romën, besimtarët do të mblidhen në shenjtëroren e Fatimës, në Lurdë, në Guadalupe, ku do të thuhen Rruzare kushtuar jetës. Por edhe në Nazaret, ku lutja e përbashkët është parashikuar për 21 mars, ashtu si në Shqipëri, ku kremtohet Dita e gjashtë për jetën.








All the contents on this site are copyrighted ©.