2015-03-21 11:57:00

Kremtimet e Javës së Madhe kryesuar nga Papa Françesku


Zyra e Kremtimeve liturgjike publikoi programin e kremtimeve të Javës së Madhe, që do të kryesohen nga Papa Françesku.  Java e Madhe do të nisë me të Dielën e Larit, më 29 mars 2015, e do të arrijë kulmin me Triditshën e Pashkëve, qendër e gjithë vitit liturgjik. Në Javën e Madhe, Kisha kremton misteret e shëlbimit: “Vepër e shpërblimit e kryer nga Krishti i cili, duke vdekur, e mundi vdekjen e, duke u ngjallur, na dha përsëri jetë”.

Françesku do t’i kryesojë të gjitha ritet e Javës së Madhe, duke filluar nga 29 marsi, e Diela e Larit.  Kjo datë përkon me Ditën XXX Botërore të Rinisë, me temë: “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do të shohin Hyjin”(Mt 5,8), që do të kremtohet në nivel dioqezan. Para se të fillojë proçesioni eukaristik, Ati i Shenjtë do të bekojë larin, palmat e degët e ullinjve, ndërsa në përfundim të proçesionit, do të kremtojë Meshën Shenjte të Mundimeve të Krishtit.

Triditshja e Mundimeve dhe e Ngjalljes së Zotit, ‘kulm i gjithë vitit liturgjik’ do të fillojë të Enjten e Madhe, më 2 prill 2015. Duke nisur nga ora 9.30, Shenjtëria e Tij do të kryesojë bashkëkremtimin e Meshës së Bagmit në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë kremtimit do të bekohet vaji i katekumenëve dhe i të sëmurëve. Bashkëkremtimi i Papës me kardinajtë, ipeshkvijtë e meshtarët e pranishëm në Romë do të jetë simbol i bashkimit të ngushtë ndërmjet Kryebariut të Kishës universale dhe bashkvëllëzërve të tij në meshtari.

Pasdite Françesku do të shkojë në ndërtesën e re të burgut romak Rebibbia për t’i takuar të burgosurit. Në ora 17.30 Ati i Shenjtë Bergoglio do të kremtojë Meshën “e Darkës së Mbrame” në Kishën “Ati Ynë”: gjatë ritit do t’u lajë këmbët 12 të burgosurve. 

Të Premten e Madhe, më 3 prill, në orën 17.00, Shenjtëria e Tij do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Liturgjinë e Fjalës, me ritin e Adhurimit të Kryqit e ritin e Kungimit.

Në mbrëmje, në orën 21.15, do të kryesojë Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseum, në përfundim të së cilës do të përshëndesë besimtarët dhe do të japë bekimin e tij apostolik. Sivjet Papa Françesku ia kërkoi imzot Renato Corti-t, përgatitjen e teksteve për meditimet e Udhës së Kryqit.

Të Shtunën e Madhe, ndërmjet 4 e 5 prillit, në orën 20.30 Papa Françesku do të kryesojë kremtimin e Natës së Pashkëve në Bazilikën e Vatikanit. Sipas traditës, kjo natë në të cilën Krishti u ngjall njihet si ‘Nëna e të gjitha netëve të lutjes’, prandaj edhe kalohet në uratë. Kisha rri zgjuar duke pritur Ngjalljen e Zotit me kremtimin e sakramenteve fillestare të jetës së krishterë. Kremtimi do të nisë me ritin e bekimit të zjarrit të ri në tremen e Bazilikës e do të vijojë me ndezjen e qiriut të Pashkëve e me Exsultet, pasuar nga Mesha Shenjte, e kryesuar nga Françesku.

Më 5 prill, Solemniteti i Pashkëve, në orën 10.15, Papa do të kremtojë Meshën e Ditës në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit e më pas, nga lozha qëndrore e Bazilikës, do të japë Bekimin ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’.

Fillon kështu “Koha e gëzueshme’ e Rrëshajëve, kur Kisha kremton praninë e Krishtit të ngjallur dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt.  

 








All the contents on this site are copyrighted ©.