2015-03-21 13:47:00

Françesku në Pompei: Rruzarja është arma e paqes dhe e faljes


Etapa e parë e shtegtimtit të sotëm të Papës, Shenjtërorja e Pompeit, ku arriti pak para orës 8.00. U prit nga mijëra besimtarë në festë, të cilët i përshëndeti përzemërsisht, për t’u gjunjëzuar, më pas, në heshtje, para figures së Rojës Rruzare, sjellë në Pompei nga i Lumi Bartolo Longo, në vitin 1875. Pas meditimit të heshtur, tha “Lutjen e vogël”, shkëputur nga urata historike, shkruar nga i Lumi Bartolo Longo, në vitin 1883:

“Virgjër e Rruzares Shenjte, Nënë e Shëlbuesit, grua e tokës sonë e lartuar mbi qiejt e lartë, shërbëtore e përvuajtur e Zotit, shpallur Mbretëreshë e botës, nga thellësia e mjerimeve tona ne ngarendim kah ti e, me besimin e bijve, sytë tanë ngulen mbi fytyrën tënde ëmbëlsiplote.

E kurorëzuar me dymbëdhjetë yje, ti na çon tek misteri i Atit, ti shndrit me dritën e Shpirtit Shenjt, ti na dhuron Foshnjën tënde hyjnore, Jezusin, shpresën tonë, të vetmin shpëtimtar të botës. Me Rruzaren tënde, ti na fton t’ia ngulim sytë fytyrës së Tij. Ti na e hap zemrën e Tij, hon i pafundmë gëzimi e dhimbjeje, drite e lumnie, mister i Birit tënd, që u bë njeri për ne. Tek këmbët tuaja, në gjurmë të Shenjtorëve, ne ndjehemi familje e Zotit.

Nënë e model i Kishës, ti je prijëse dhe ndihmëse e sigurt. Na bëj një zemër të vetme  e një shpirt të vetëm, popull të fortë për udhë drejt atdheut të qiellit. I lëshojmë në dorë tënde mjerimet tona, udhët pa fund të urrejtjes e të gjakut, mijëra varfëritë e lashta e të reja e, sidomos, mëkatin tonë. Në duart tuaja e lëshojmë gjithë vetveten: Nënë e mëshirës, na nxirr nga Zoti hirin e faljes, ndihmona të ndërtojmë një botë sipas zemrës sate.

O Rruzare e bekuar e Marisë, vargua i ëmbël, që na lidh me Hyjin, vargua  dashurie, që na bën vëllezër, ne nuk të lëmë kurrë më. Në duart tona do të jetë arma e paqes dhe e faljes, yll i udhëve tona. E puthja jote, në frymën e fundit, do të na mbështjellë me një valë drite, me vegimin e Nënës së dashur nga Biri hyjnor, etje e gëzim i zemrës sonë, me Atin e Shpirtin Shenjt”.

Para largimit, jashtë programit, Papa u ndalua në tremen e Shenjtërores për të përshëndetur besimtarët, që e pritën me entuziazëm të jashtëzakonshëm, mbas një nate pa gjumë, kaluar në lutje. Françesku iu drejtua me fjalët: “Shumë faleminderit! Faleminderit për këtë pritje të ngrohtë. Iu lutem të gjithë Zojës, që të na bekojë të gjithëve: ju, mua gjithë botën! E lutuni për mua. Mos harroni! Tani ju ftoj të themi së bashku një FalemiMari e pastaj po ju jap bekimin (thuhet FalemiMaria e pason bekimi). Mirupafshim së shpejti!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.