2015-03-20 12:51:00

“Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve. Veprat e mëshirshme të shpirtit


Koha e Kreshmëve, që vijojmë ta jetojmë, është kohë pendese e dhimbjeje për fyerjet që, dashur a padashur, mund t’ia kemi bërë Zotit e njeriut. E është edhe kohë premtimi për përmirësim. Këto janë ndjenja zemre, pa të cilat pendesa e jashtme nuk do të kishte asnjë kuptim. Profeti, nga thellësia e shekujve, vijon të na bëjë thirrje: “Coptojeni zemrën e mos i grisni petkat tuaja!”. Ndërsa Shëlbuesi, nga Ungjilli, flet edhe më qartë: “Kur të agjëroni, mos merrni hije të trishtuar, si bëjnë hipokritët… për t’u dukur para njerëzve. Agjërimin tënd le ta dijë vetëm Hyji!”. Kjo s’do të thotë se pendesa e jashtme nuk është e dobishme, por se duhet shoqëruar nga shpirti, që e shikon pendesën si mjet, jo si qëllim, duke e lidhur përherë me veprat e mëshirshme. 

Rubrika e sotme “Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve, na kujton pikërisht “Veprat e mëshirshme” duke nisur nga ato të shpirtit. Në doracakun, dhuratë e Françeskut, në përgatitje të udhës sonë kreshmore,  porositë:

Me këshillue dyshimtarët!
Me mësue të paditurit!
Me qortue mëkatarët!
Me ngushëllue të munduarit!
Me falë fyerjet!
Me durue të mërzitshmit!
Me lutë Zotin për të gjallë e të vdekur! 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.