2015-03-20 13:58:00

Papa ipeshkvijve japonezë: misionarë edhe të portës kundruall


Trashëgimia e misionarëve të mëdhenj, por edhe roli i laikëve të sotëm e të djeshëm, posaçërisht i atyre, që mbetën në historinë e Kishës së Japonisë me emrin “të krishterë të fshehtë” të periudhës së persekutimit, ishin temat në qendër të vëmendjes në fjalimin e Papës, dorëzuar ipeshkvijve të Japonisë, në Vatikan për vizitë “ad Limina Apostolorum”.

“Të thirrur për të qenë misionarë, edhe kur kjo do të thotë vetëm të hapësh portën e shtëpisë e të bësh një hap në drejtim të portës së  fqinjve”. Këtë u kërkon Papa Françesku të krishterëve: ta dëshmojnë Ungjllin, duke prekur, porosit, korpin e munduar të Krishtit në trupat e të afërmve të munduar. Duke u folur ipeshkvijve të Japonisë, Papa kujtoi  trashëgiminë e gjallë të fesë, që e ruan me kujdes e dashuri vendi i Lindjes së largët. Një Kishë, theksoi, e pasur me bekime, e po aq, edhe me vuajtje; e një trashëgimi, që e inkurajon Kishën në udhën e saj drejt së ardhmes.

Në fjalimin e tij, Françesku shkoi, me mendim, tek të gjithë misionarët, që në rrjedhë shekujsh, dhuruan jetën e tyre në shërbim të Ungjillit e të popullit japonez. E edhe tek ata, që njihen si të “krishterë të fshehur”. Janë pikërisht këta, kujtoi, që kur u dëbuan të gjithë misionarët e meshtarët nga vendi, e ruajtën fenë, nuk e lanë të shuhej e të harrohej. Papa Françesku shpjegoi, më pas: “Në një situatë rreziku e persekutimi të egër, lutja e lidhja e ngushtë me Ungjillin e mbajtën të gjallë fenë, pavarësisht nga mungesa e meshtarëve dhe pamundësia për t’i mbarështuar sakramentet.  Kisha edhe sot e kësaj dite vijon të fuqizohet e angazhimi i ungjillëzimit është i frytshëm, kur besimtarët mbështeten fort tek lidhja personale me Krishtin, të ndihmuar nga famullitë e bashkësitë kishtare. Lidhja e ngushtë me Krishtin, jetuar në lutje, është edhe angazhim i sinqertë për të mirën e përbashkët”. Më pas Françesku sqaroi që të krishterët e fshehur  na kujtojnë se angazhimi për ta rritur Kishën e për të ungjillëzuar, kërkon veprimtarinë dhe pjesëmarrjen e plotë të besimtarëve shekullarë.

Duke vlerësuar lart nismat e Kishës në Japoni, Papa inkurajoi posaçërisht të vijohet angazhimi në dy plane. Së pari, në atë të ndihmës që u duhet dhënë të vuajturve, pa dallim feje, duke kujtuar këtu edhe tërmetin e tcunamin e katër viteve më parë. E së dyti, angazhimi në favor të paqes në gjirin e një popullsie, që pësoi vuajtjet e tmerrshme të Hiroshimës e  të Nagasakit. Ati i Shenjtë i porositi ipeshkvijtë t’i kushtojnë vëmendje të veçantë edhe temës së shekullarizimit e të shëndetit  e, sidomos, asaj të dialogut ndërmjet Kishës e shoqëri.








All the contents on this site are copyrighted ©.