2015-03-20 14:26:00

Kardinali Sepe, Papa në Napoli për të ridhënë shpresë e guxim


Papa do të sjellë në Napoli shpresë, guxim e dinjitet: këtë pohon kardinali Crescenzio Sepe, kryeipeshkëv i qytetit, që nesër do të presë Françeskun. Qyteti vlon në pritje të vizitës së Atit të Shenjtë, pas një përgatitje të bukur shpirtërore. Edhe vetë Papa është vërtet entuziast. Për shumë gjëra. Edhe për ta njohur nga afër këtë qytet.

E pyetëm Hirësinë e Tij kardinalin Sepe për vlerat e kësaj vizite baritore:

Pyetje: - Mendoni të organizoni ndonjë pritje të veçantë, edhe me ndonjë të papritur për Papën?

Përgjigje: - Papa vjen për vizitë baritore, nuk vjen për ndonjë festë e as për ndonjë rast të veçantë: vjen për t’i takuar të gjithë. Nga Scampia, ku janë profesionistët, përfaqësuesit e ligjshmërisë, të kulturës, por edhe, e sidomos, të varfërit, emigrantët, romët, të pastrehët, bota e punës, tek meshtarët, të sëmurët, të rinjtë… Papa vjen të prekë plagët tona, sidomos atë të papunësisë që ndjehet më shumë në radhët e të rinjve e, prej tyre edhe në familjet, që nuk arrijnë dot deri në fund të muajit, me pagën e punës së përditshme. Mund të them se në të gjitha realitetet duhet të nisemi nga Krishti, duhet të japim një formim shpirtëror, duke vënë në themel Doktrinën shoqërore të Kishës, gjë që po e bëjmë prej vitesh.

Pyetje: - Mesazhi, që do të japë Papa në Napoli?

Përgjigje: - Është e qartë se Papa nuk mund të mos nënvizojë ato, që janë dritat, duke nisur nga angazhimi i meshtarëve, vërtet shembullorë. Pastaj, kur e takova para nisjes, unë i thashë: Atë i Shenjtë, ju e dini se këtë vit në qytet kremtuam tre shenjtërime, përveç një lumnimi. Prej këndej tani, në prag të vizitës suaj, Napoli ka tre shenjtorë të rinj. Kjo do të thotë se kemi forca të pakufishme, edhe në fusha të tjera, në fushën civile, në mjekësi, në letërsi, në muzikë, sidomos! Pa harruar edhe të këqijat, duke nisur nga papunësia e kriminaliteti i organizuar, nga Kamorra, nga një realitet që, sidomos, nuk po arrin t’i japë kuptim jetës së të rinjve. E Papa është tejet i ndjeshëm, kur bëhet fjalë për rininë. Ne po jetojmë një krizë brenda krizës. Nëse krizën e ndjejnë të gjithë, ne, edhe më shumë, sepse përfshihet në një krizë, që zgjat tashmë prej shumë vitesh.

Pyetje: - Pra, Napoli pret një mesazh shprese nga Papa?

Përgjigje - Një mesazh të fortë. Po them fjalët që pati shqiptuar Shën Gjon Pali II, kur pati ardhur në Napoli: “Do ta riorganizojë shpresën”.

Pyetje: - Cilat janë etapat kryesore të vizitës?

Përgjigje: - Në fillim do të hyjë në periferi, në Scampia. Scampia e famshme, ku do të takojë përfaqësuesit e fushave të ndryshme të qytetit: përfaqësuesin e kulturës, të ligjshmërisë e të profesioneve të tjera, që do të jenë të pranishëm në takimin e parë me Papën nga njëra anë; e nga ana tjetër, gjithnjë në të njëjtin shesh, Sheshi Gjon Pali II, do të takojë përfaqësuesit e punës, të emigrantëve, të të pastrehëve, të romëve… Këta janë gjashtë sektorët, që do të jenë të pranishëm në takimin e parë me Papën. Prej atje, do të  shkojë ngadalë me papamobil mes njerëzve, derisa të arrijë në Sheshin e Plebishitit, ku do të bashkëkremtojë me 7-800 meshtarët e dioqezës dhe me të gjithë ipeshkvijtë e Campania-s. Ky do të jetë çasti kulmor, më i bukuri, më kuptimploti: kremtimi i Meshës, me të gjitha realitetet kishtare-dioqezane. Prej këtu, Papa do të shkojë për drekë tek të burgosurit e Poggio Reale. Do të drekojë me ta e do t’i njohë së afërmi.  Pas një ndalese të shkurtër në kryeipeshkvi, sa për të marrë pakëz frymë, do të niset menjëherë për në Bazilikën e Jezusit të Ri, ku do të takohet me përfaqësues të të sëmurëve, ardhur nga spitale të ndryshme të Napolit, e, më pas, me fëmijët, të rinjtë, të sëmurët onkologjikë... Pas takimit me të sëmurët e para se Papa të niset, do të bëjmë festë gjatë bregdetit të Napolit, në Rotonda Diaz, ku Ati i Shenjtë do të takohet me të rinjtë e të moshuarit: do të jetë festë dhe manifestim shumë simpatik. Ashtu si dinë ta bëjnë të rinjtë!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.