2015-03-20 18:06:00

Cantalamessa: Shpirti Shenjt ndërmjet Lindjes e Perëndimit


Dashuria e krishterë ndërmjet Kishave të bën ta shikosh larminë jo si gabim, as si kërcënim, por si pasuri, për të cilën duhet të gëzohemi. Ky, thënë me dy fjalë, ishte predikimi i atit Cantalamessa, mbajtur sot paradite në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Vatikan. Të pranishëm, Papa e Kuria Romake. Ishte vijim i meditimeve të Kohës së Kreshmëve, kushtuar fesë së Lindjes e të Perëndimit, sot paradite përqendruar mbi misterin e Shpirtit Shenjt.

Shpirti Shenjt, ndërmjet Lindjes e Perëndimit

Është arritur mirëkuptimi sot, faleminderës Zotit, edhe mbi problemin e vështirë, që për shekuj i ndau, me fërkime e akuza reciproke, Kishën e Lindjes nga ajo e Perëndimit. Është fjala për vendin që zë Shpirti Shenjt në gjirin e Trinisë. E kjo ishte edhe zemra e meditimit të atë Ranieros, i cili shpjegoi origjinën, zhvillimin e perspektivat e këtij problemi. Formulimi i parë i besimit të Kishës në Shpirtin Shenjt, është ai i Koncilit të Kostandinopojës, në vitin 381: “Shpirti Shenjt është Zot, rrjedh “prej Atit” e “foli me anë të profetëve”. Formulë e mangët, shpjegoi predikatari i Shtëpisë Papnore, që u plotësua më pas. Çka shkaktoi ndarjen ndërmjet Kishave, ishte përkufizimi i lidhjes së Shpirtit Shenjt me Birin. Për Etërit grekë, Shpirti rrjedh nga Ati, “përmes Birit”; për latinët, nga Ati e nga Biri, domethënë ashtu si nga Ati, krejtësisht edhe nga Biri, duke rrafshuar, sqaroi atë Raniero, dy lidhjet e origjinës. Kundërshtimet e Lindjes nisën me përfshirjen e shprehejs latine Filioque në Besojmën – Simbol Nikean- Kostandinopojan, me Benedeitin VII, në vitin 1014.

Pas ndarjes, vjen përpjekja për të plotësuar njëra-tjetrën

Sot, vijoi atë Raniero, kjo nuk përbën më probelem e, në atmosferën e dialogut dhe të nderimit reciprok, bëhen përpjekje për të rikrijuar, ndërmjet Ortodoksisë e Kishës katolike, një përplotësim të ligjshëm që, po të mos ngulet këmbë, nuk e pengon identitetin e fesë në realitetin e misterit. Vetë Shën Gjon Pali II,  në disa kremtime ekumenike, kujtoi atë Raniero, nisi praktikën e kapërcimit të formulës, duke shprehur, kështu, dëshirën për pajtim. Por dialogu i vërtetë, përveç sheshimit të moskuptimeve, hapi perspektiva të reja.  E sot e reja më e madhe ndërmjet teologjive të dy Kishave mbi “Shkencën e Shpirtit Shenjt”, ose Pneumatologia, nuk synon më të arrijë në marrëveshje për fjalën Filioque, por synon nisjen nga Shkrimi Shenjt, për një sintezë më të gjerë.

Udha e dashurisë së krishterë

Shkrimet e Shenjta krijojnë mundësinë të gjindet edhe një përplotësim ndërmjet Shpirtit, si vërtetësi e dritë, vizion ky i Etërve grekë, e Shpirtit, si dashuri, që dikon dashurinë e Hyjit në zemra, karakteristikë për latinët. Nëse, siç shkruan Shën Agostini, “Dashuria bashkon e zilia ndan”, “nëse ajo më bën ta dua Korpin e Krishtit e në unitet të gjitha karizmat janë të miat”, ja që na u zbulua sekreti, përmes të cilit, përfundoi Atë Cantalamessa, mund të bëhet hapi vendimtar drejt bashkimit të të krishterëve. Dashuria e krishterë, e vënë në jetë në marrëdhëniet ndërmjet dy Kishave, krijon mundësinë të shikohet ç’kanë të ndryshme nga njëra-tjetra, jo si gabim a si kërcënim, por si pasuri, që duhet t’i gëzojë të gjithë.








All the contents on this site are copyrighted ©.