2015-03-19 10:32:00

Kardinali Parolin: çnjerëzore, masakra e Tunizisë


Atentati dramatik i Tunizisë, Viti Shenjt kushtuar Mëshirës Hyjnore, fenomeni i korrupsionit. Këto janë temat, që ceku Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë me Radio Vatikanin, pak para se të merrte pjesë në Takimin romak për të kremtuar 25-vjetorin e rifillimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Rumanisë. Ta dëgjojmë, ndërsa flet për atentatin e djeshëm në kryeqytetin Tunis, që shkaktoi 19 viktima, ndër të cilët 17 turistë, dhe 22 të plagosur:

         Diçka tepër mizore dhe çnjerëzore, vërtet e pakonceptueshme. Absolutisht, për t’u dënuar. E duhet të shpresojmë që të mos ushtrohet më dhunë, në emër të Zotit.

         Ç’fryte do të sjellë Viti Shenjt kushtuar Mëshirës Hyjnore, sipas jush?

         Siç thoshte Gjon Pali II, mëshira është ilaçi i Zotit për sëmundjet e njerëzimit. Unë shpresoj që, në këtë Vit Shenjt, ky ilaç të përdoret me doza veçanërisht të mëdha, që të arrijë të kurojë vërtet të gjitha të këqiat dhe plagët, nga të cilat vuan kjo shoqëri.

         E ndër të këqiat e shoqërisë, është edhe korrupsioni, karakteristikë e shumë vendeve…

         Është edhe ai… Edhe nga ai duhet të shërohemi. Ilaçi funksionon nëse subjekti, për të cilin përdoret, është i gatshëm ta marrë e ta lerë të veprojë. Kjo kërkon angazhim të madh nga të gjithë e nga secili për ta luftuar këtë fenomen e për të jetuar me ndershmëri, për të qenë të ndershëm e koherentë në të gjitha fushat e jetës.








All the contents on this site are copyrighted ©.