2015-03-18 15:12:00

“Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve. Urdhërimet e Tënzot


E duke i kujtuar, t’i lartojmë sytë drejt qiellit e t’i lutemi Zotit të na ndihmojë të ecim në udhët e fesë, të shpresës e të dashurisë, domethënë në udhët e Urdhërimeve të Tij që, ashtu siç thotë Bibla, të bëhen gëzimi i zemrës sonë, trashëgimia jonë e shpërblimi ynë i amshuar. Zoti i skaliti mbi rrasa guri, ndërmjet vetëtimave e bubullimave, mbi malin Sinai, duke vënë poshtë tyre nënshkrimin e Tij: “Unë jam Zoti, Hyji yt!”. Por para se t’i skaliste mbi shkëmb, i pati skalitur mbi zemrën e çdo njeriu, që nga krijimi i njerëzimit.

Ndërsa Jezusi na kujton: “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët. Jo nuk erdha ta shlyej, por ta përkryej”.

E në këto ditë pendestare doracaku i Papës, që na përgatit për udhën tonë kreshmore, ndalet pikërisht tek  Dhjetë Urdhërimet, duke na ftuar t’i kujtojmë çdo çast:

Unë jam Zoti yt!
Mos ki tjetër Zot, përveç meje!
Mos e merr emrin e Tënzot nëpër gojë kot!
Shenjtëro ditën e dielë e ditën festë!
Ndero babain tënd e nënën tënde!
Mos vra!
Mos e thyej kurorën!
Mos vidh!
Mos bëj dëshmi në rrenë kundër të afërmit tënd!
Mos e lakmo gjënë e huaj!








All the contents on this site are copyrighted ©.