2015-03-18 14:51:00

Mesazh i Papës një kishe argjentinase, kushtuar don Boskos


Papa Françesku i ka dërguar një mesazh bashkësisë së famullisë “shën Gjon Bosko” të Buenos Ajresit, e cila do të përurohet zyrtarisht të dielën e ardhshme, më 22 mars. Është famullia e parë kushtuar shenjtit salezian në një të ashtuquajtur “villa miseria” (zonë e mjeruar). Në mesazhin e tij, Ati i Shenjtë shkruan: “Famullia mban emrin e shën Gjon Boskos, në 200-vjetorin e lindjes, sepse Don Bosko ka punuar shumë me fëmijët e me të rinjtë e, një nga përmasat më të rëndësishme të kësaj famullie do të jenë fëmijët e të rinjtë. Për t’i ndihmuar të integrohen, të kalojnë një jetë dinjitoze, të lumtur; që të jenë të lumtur e të kenë punë e të formojnë familje”. “Uroj – vijon Papa – që kjo famulli t’u bëjë mirë të gjithëve. Lutem për ju, që të ecni përpara, lutem për famullitarin, lutem për të gjithë bashkëpunëtorët. Ju bekoj të gjithëve e ju kërkoj të luteni për mua”.  Famullitari i kishës është don José Maria Di Paola, apo don “Pepe” siç e quajnë, mik i hershëm i Jorge Mario Bergoglio-s.








All the contents on this site are copyrighted ©.